Asanaj ia dorëzoi Krasniqit raportin vjetor të AKP-së
Prishtinë, 19 prill - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim kryetarin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj.
Me këtë rast, Asanaj, i shoqëruar edhe nga Shkëlzen Lluka, drejtor i Agjencisë dhe bashkëpunëtorë të tjerë, ia dorëzoi kreut të legjislativit, Krasniqi, Raportin vjetor të AKP-së për vitin 2010.
Gjatë bisedës udhëheqja e AKP-së theksoi nevojën e plotësimit dhe ndryshimit të ligjeve që kanë të bëjnë me AKP-në.
Këto projektligje parashihen edhe me Strategjinë Legjislative të Qeverisë së Kosovës për vitin 2011, ndërsa inkorporohen edhe në Programin e punës së Kuvendit të Kosovës.
Asanaj shprehu gatishmërinë e udhëheqjes së Agjencisë Kosovare të Privatizimit, që të jenë pjesëmarrës gjatë shqyrtimeve të këtyre projektligjeve në komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës.
Kryekuvendari Krasniqi duke u falënderuar për Raportin theksoi se edhe komisionet parlamentare do të bashkëpunojnë edhe më shumë më AKP-në gjatë shqyrtimit parlamentar të këtyre projektligjeve.