Arrestohet drejtuesja e OJQ-së Edhe ne jemi Kosovë
Prishtinë, 5 mars - Policia e Kosovës ka arrestuar me akuzën e abuzimeve me fondet dhe shmangies nga tatimi, drejtuesen e organizatës joqeveritare Edhe ne Jemi Kosovë.
Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare të policisë së Kosovës, kanë thënë se hetimi për këtë rast filloi në datë 23 shkurt 2010, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës dhe Agjencioni Tatimor i Kosovës.
Hetimi kishte për bazë dyshimin e bazuar se persona të punësuar në OJQ-në Edhe ne jemi Kosovë kanë kryer veprën penale të Mashtrimit, shpërdorimit dhe shmangies nga Tatimi.
Pas grumbullimit të informatave të nevojshme sot policia ka arrestuar të dyshuarën Z. K (1972) e cila deri në momentin e arrestit ishte në pozitën e Drejtoreshës së Organizatës Joqeveritare EDHE NE JEMI KOSOVË me seli në Ferizaj, tha policia e Kosovës.
Sipas saj, hetuesit së bashku me zyrtarët e tatimeve, kanë bërë kontrollin e zyrës dhe depos se Organizatës ku janë konfiskuar sende që dëshmojnë se e dyshuara ka kryer veprat penale si më lartë. Keqpërdorimet nga kjo OJQ dyshohet se kalojnë vlerën prej 100.000.00 ( njëqind mijë euro).
Në bazë të informatave që janë grumbulluar nga hetuesit, kjo OJQ ka grumbulluar donacione në vlerë të të hollave për dërgimin jashtë shtetit të fëmijëve kosovarë që vuajnë nga sëmundje që nuk mund të shërohen në Republikën e Kosovës duke i keqpërdorur këto mjete financiare, sqaroi policia e Kosovës.
Ajo tha se për hetimin dhe masën e arrestit në këtë rast është konsultuar me Prokurorit Publik Komunal në Ferizaj. Aksioni i policisë mësohet të jetë në vazhdim. Në kuadër të këtij aksioni, Policia e Kosovës bëri me dije se arrestoi edhe personin e dytë lidhur me skandalin.
Drejtoria për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion - Njësia Rajonale e Ferizajt në vazhdimësinë e planeve hetimore-operacionale ka bërë arrestimin e të dyshuarit M.I lindur më 04.01.1965 shtetas kosovar me banim në komunën e Kaçanikut.
Ky person është arrestuar nën dyshim e bazuar se ka kryer veprat penale Ushtrim i Ndikimit e sanksionuar me nenin 345 paragrafi. 1 i KPK-se dhe Mashtrim e sanksionuar me nenin 261 par. 1 i KPK-se, tha policia.
Sipas saj, personi i dyshuar tanimë i arrestuar dyshohet se në vitin 2009 ka pranuar si shpërblim nga drejtoresha e Shoqatës Z. K. Edhe ne Jemi Kosovë një vlerë të parave prej 2.500.00 (dymijë e pesë qind euro) për të ushtruar ndikim në institucionet përkatëse, që mos ti mbyllet shoqata.