Arkat fiskale, projekt i papërfunduar
Prishtinë, 22 mars - Procesi i pajisjeve me aparate elektronike fiskale për të gjitha bizneset aktive në Kosovë, vazhdon të neglizhohet dhe si i tillë po krijon evazion fiskal.
Në mbi 130 mijë kompani, sa llogariten të jenë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, deri më tani janë fiskalizuar mbi 27 mijë biznese apo shprehur në përqindje, mbi 55 për qind të pikave të shitjes.
Arsye e ikjes nga ky projekt, sipas pronarëve, është çmimi i lartë për blerjen e një aparati elektronik, si dhe çmimi vjetor për mirëmbajtjen e tyre.
Arbeni, pronar i një dyqani të fiskalizuar në Prishtinë, tregon është dashur të paguajë 600 euro për aparat fiskal, kurse është i detyruar që për çdo vit të paguajnë rreth 100 euro për mirëmbajtjen dhe kontrollin vjetor të arkës.
Për blerjen e arkës, Arbeni thotë se i është dashur të marrë kredi në njërën bankat komerciale.
\"Shumë shtrenjtë është, unë paguaj deri 120 euro. Unë, por edhe shumica e kolegëve të mi, nuk e di pse e dërgojmë në kompaninë e licencuar dhe pse paguajmë?! Po thonë vetëm të pastrohet dhe të mirëmbahet... Kjo ndikon se biznesi është shumë i vogël. Në anën tjetër, unë kam marrë kredi edhe për blerjen e arkës, pasi ka kushtuar rreth 600 euro, tregon Arbeni.
Ndryshe, udhëheqës të Ministrisë së Financave, gjatë prezantimit të Udhëzimit Administrativ për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike dhe Sistemeve Fiskale, të premtën kanë premtuar se do të largohet monopoli në treg që ka ekzistuar sa i përket furnizimit me arkat fiskale dhe në këtë mënyrë, çmimet e aparateve do të jenë shumë më të lira.
Po ashtu, edhe kontrolli teknik i pajisjeve nuk do bëhet çdo 12 muaj, por çdo 24 muaj, me një vlerë më të vogël financiare.
E gjithë kjo do të ndodhë pas miratimit të Udhëzimit Administrativ për pajisjet fiskale, udhëzim ky që do të përshpejtojë dhe ulë çmimin e fiskalizimit.
Sidoqoftë, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se parregullsitë që po ndodhin në tregun e arkave fiskale dhe dështimi i autoriteteve kompetente për ta përfunduar këtë proces, po krijojnë pabarazi në tregun kosovar, duke rritur ekonominë e paligjshme.
Çmimet e larta të arkave fiskale mund të jenë arsyetime të afaristëve, por që sipas tyre, asnjëherë nuk mund të pranohet argumenti se çmimi mund të jetë pengesë për fiskalizim, për shkak se tatimet janë të obligueshme.
Lekë Musa, ish-kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë Radion Evropa e Lirë se autoritetet kompetente duhet të gjejnë forma që ky proces të përfundojë në mënyrë që të zvogëlohet evazioni fiskal.
Sa i përket ekonomisë joligjore, ajo duhet të zvogëlohet në çdo masë. Qeveria e Kosovës duhet të përcaktojë rregulla të lojës sa më të thjeshta dhe me ngarkesa sa më të ulëta, në mënyrë që të krijohet një klimë e biznesit, ku çdo subjekt ekonomik të jetë i barabartë me konkurrencën ekonomike në vend, thotë Musa për Radion Evropa e Lirë.
Me qëllim të përshpejtimit të procesit të fiskalizimit të bizneseve, udhëheqës të Ministrisë së Financave kanë ftuar qytetarët që për çdo shërbim të pajisen me kuponë fiskal, pasi mund të kthehet një përqindje e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. (Rel)