04 Nëntor 2024

Arbitrazhi, metodë e shpejtë dhe efikase që garanton zgjidhjen e kontesteve

Prishtinë, 29 janar - Arbitrazhi si metodë për zgjidhjen e kontesteve vazhdon të mbetet metodë më efikase dhe më e shpejtë në krahasim me gjykatën.

Një gjë e këtillë është konkluduar sot gjatë një tryeze të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku përfaqësuesit e bizneseve diskutuan me njohësit e arbitrazhit.

Ardi Shita, avokat dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit të Odës Ekonomike Amerikane, e cilësoi pozitiv faktin se sot ekzistojnë qendra funksionale të arbitrazhit si dhe përfshirje të klauzolave të arbitrazhit në kontrata.

Ai theksoi që njohja në procedurë të shpejtë të vendimeve të arbitrazhit nga gjykata, lehtëson ekzekutimin e vendimit.

Si përparësi të kësaj metode alternative, Shita përmendi shpejtësinë e procesit, dhe gjithashtu lirinë e palës për të dizajnuar procesin ashtu që i njëjti t’i përshtatet më së miri kërkesave të veta.

Sipas tij, klauzola e arbitrazhit e paraparë në kontratë ndihmon palët të jenë më të diciplinuara, gjë kjo që është kritike në çështje ekonomike.

Njomëza Zejnullahu, këshilltare e lartë ligjore në projektin e USAID për Drejtësinë Komerciale u shpreh se USAID e sheh promovimin e arbitrazhit si të rëndësishëm, pasi që i njëjti ka rol signifikant për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte në vend.

Ajo tha se qëllimet kryesore të projektit për Drejtësinë Komerciale janë ngritja e kapaciteteve dhe efikasitetit të gjyqësorit sa i përket zgjidhjes së kontesteve ekonomike, mbështetja për krijimin e një gjykate komerciale, përdorimi i mekanizmave alternativ të zgjidhjes së kontesteve, ngritja e vetëdijësimit publik, dhe përmirësimi i infrastrukturës ligjore.

Për më tepër, Zejnullahu shtoi se arbitrazhi dhe gjykatat nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Pavarësisht krijimit të gjykatës komerciale dhe rritjes së efikasitetit në atë drejtim, arbitrazhi ka rolin e tij në zgjidhjen e kontesteve, dhe në asnjë moment nuk duhet të konsiderohet si zëvendësim i gjykatës, por si plotësim i saj.

Fëllënza Limani, eksperte ligjore për zyrën e Avokatit Shtetëror, theksoi që arbitrazhi është më pak i zakonshëm në rastet kur institucionet publike lidhin kontratë me një palë private në kontekst vendor.

Limani tha se ekziston një frikë për përfshirjen e klauzolave të arbitrazhit nga institucionet publike, për faktin që nuk ekziston një njohuri më e madhe për funksionimin e arbitrazhit.

Sipas saj, është esenciale që bizneset të jenë më të përgatitura në fushën e arbitrazhit, marrë parasysh që kjo metodë për zgjidhjen e kontesteve është trend botëror në fushën e të bërit biznes.  Tutje, ajo përmendi edhe nevojën për koordinim më të madh ndërinstitucional, si dhe rritje të nivelit të njohurisë mbi arbitrazhin.

Qendra e Arbitrazhit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë do vazhdojë më organizimin e tryezave mbi vetëdijësimin mbi benefitet e arbitrazhit komercial për bizneset, gjithmonë në qëllim të ngritjes së vetëdijës mbi dukuritë që mund të kontribuojnë në konkurrueshmërinë dhe në përgjithësi në të bërit biznes në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)