Arbitrazhi duhet të përdoret për zgjidhjet e kontesteve në prokurimin publik
Prishtinë, 26 dhjetor - Arbitrazhi si mjet për zgjidhjen e kontesteve përkrahet fuqishëm edhe nga ana e shoqërisë civile, sidomos në zgjidhjen e kontesteve që dalin nga prokurimi publik.
Kjo për faktin që hulumtimet e shumta të kryera nga ana e organizatave të shoqërisë civile theksojnë se nga mungesa e efikasitetit të gjykatës në zgjidhjen e rasteve të tilla, qoftë për shkak të ngarkesës me lëndë apo mungesës së ekspertizës adekuate në fushën e prokurimit publik.
Kjo u tha sot në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë për perspektivën e shoqërisë civile mbi arbitrazhin në prokurimin publik.
Tea Blakaj, Sekretare Gjenerale e Qendrës së Arbitrazhit në Odën Amerikane tha se zgjidhja e kontesteve nga fusha e prokurimit publike përmes arbitrit të pavarur, ekspertit në fushën e prokurimit publik shihet si alternativë e mirëseardhur por edhe e domosdoshme me qëllim të arritjes së efikasitetit të kërkuar në mbarëvajtjen e procedurave te prokurimit publik.
Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, vuri theksin mbi angazhimin e Odës Amerikane në promovimin e arbitrazhit si një metodë efikase dhe të shpejtë e cila garanton për zgjidhjen e drejtë të kontesteve.
Zeka theksoi se Oda Amerikane që nga viti 2013 përmes Këshillit Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik ka ngritur nevojën për ndryshim-plotësimin e Ligjit të Prokurimit Publik në mënyrë që të promovohet edhe promovimi i klauzolave të arbitrazhit në kontratat e prokurimit publik.
Lekë Batalli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke u pajtuar me avantazhet e arbitrazhit dhe nevojën për përdorim më të shpeshtë të kësaj metode alternative për zgjidhjen e kontesteve, vuri theksin mbi sundimin e dobët të ligjit në përgjithësi dhe joefikasitetin e gjykatave dhe prokurorive për t’iu dhënë një epilog të duhur çështjeve ekonomike.
Batalli theksoi se indeksi i përformancës të sektorit të drejtësisë, studim ky i cili bëhet nga GLPS tregon se vetëm 73% e qytetarëve kanë besim në gjykata dhe prokurori.
Duke konsideruar se përfshirja e klauzolave të arbitrazhit në kontrata të prokurimit publik është e nevojshme dhe një aspekt i duhur i veprimit, Batalli theksoi që të ndërmerren masat të cilat sigurojnë një zbatim të mirëfilltë të këtyre klauzolave.
Arton Demhasaj nga organizata Çohu! njoftoi të pranishmit mbi zhvillimet e fundit në kodin penal ku është arritur për ndryshim-plotësimin e tij duke paraparë për dispozita ndëshkuese më të larta për shkelësit gjatë procedurave të prokurimit publik, përfshirë këtu dhe përjashtimin nga e drejta për të konkurruar në procedura të ardhshme të tenderimit.
Ndërlidhur me efikasitetin e strukturave të drejtësisë, Demhasaj theksoi se vërehet një mungesë e profesionalizmit dhe profileve të duhura të cilat do të rezultonin në një rritje të efikasitetit të gjykatave dhe prokurorive.
Më tutje, bizneset prezente diskutuan mbi njohjen më të thellë të avantazheve të arbitrazhit si dhe u ritheksua nevoja për përmirësimin e sundimit të ligjit në vend.