Aprovohet vendimi që Prizreni të shpallet Zonë e Lirë Ekonomike

Duke propozuar këtë vendim, kryeministri Hashim ka vlerësuar se Qyteti i Prizrenit njihet si një prej qyteteve me një biznes aktiv, dinamik dhe rezultativ, që i ka dhënë shumë ekonomisë edhe në Prizren, por edhe më gjerë, në Kosovë dhe në rajon.
Prandaj në bazë të konsultave, debatit dhe dialogut që e kemi zhvilluar me komunitetin e biznesit dhe qytetarët në Prizren, në bazë të nevojës dhe interesit të komunitetit të biznesit, që të kenë hapësirë dhe mundësi më të mirë të të bërit biznes, joshjes dhe krijimit të kushteve më të mira për partnerët dhe investitorë të jashtëm dhe mundësisë më të mirë për krijimin e vendeve të reja të punës; pozitës jashtëzakonisht të mirë gjeografike në regjion, si qyteti më atraktiv për jetuar në hapësirat shqiptare; lidhja e mirë me rrjetin rrugor, veçmas me autostradën e kombit, që na mundëson qasje të lehtë në portet e Durrësit dhe Shën Gjinit; afërsia me Shqipërinë dhe Maqedoninë; afërsia me qendrën, më atraktive në rajon, të skijimit në Brezovicë; interesi i shtuar i bizneseve nga diaspora dhe bizneseve nga qytetet e vëllazëruara me Prizrenin, si edhe burimet e shumta njerëzore që disponon Prizreni propozojmë që të shpallim zonë të lirë ekonomike qytetin e Prizrenit, ka thënë kryeministri në arsyetimin e propozimit të tij.
Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka propozuar që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës të përgatisin analizën dhe propozimin e ndërtimit të kompleksit hapësirave qeveritare në hapësirat e Prishtinës së re.
Zëvendëskryeministri Pacolli ka propozuar, ndërsa kabineti qeveritar ka miratuar këtë propozim që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komuna e Prishtinës, deri ën tetor të këtij viti të përgatisin këtë propozim me analizat dhe studimet e nevojshme, në mënyrë që të fillohet me procedurat e shpalljes së tenderit ndërkombëtar për planifikim dhe ndërtim të hapësirave të reja qeveritare në zonën e Prishtinës së re.
Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Shoqëritë Tregtare. Pas në zbatimin e këtij ligji janë evidentuar disa pengesa të natyrës administrative dhe procedural dhe nevoja e përmirësimit në harmonizimin e Ligjit me konventat ndërkombëtare dhe legjislacionin e BE-së, është shtruar nevojë e hartimit të ndryshimeve në plotësimin e këtij ligji që ka aprovuara sot Qeveria e Kosovës.
Me vendimin e aprovuar sot nga kabineti qeveritar, është themeluar Ndërmarrja Publike Qendrore Aeroporti i Gjakovës e cila do ta ketë në pronësi, do të menaxhojë, operojë dhe do ta mirëmbajë Aeroportin e Gjakovës.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe vendimin për përcjelljen e buxhetit të Komunës së Rahovecit dhe të Komunës së Hanit të Elezit në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky veprim është ndërmarrë konform Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike.