Aprovohet politika e Qeverisë për Ujërat
Prishtinë, 13 mars - Në takimin e radhës së Këshillit Ndërministror për Ujërat u aprovua Politika e Qeverisë për Ujëra dhe iu dërgua Kabinetit Qeveritar për miratim.
I udhëhequr nga Zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi, Këshilli Ndër-Ministror për Ujërat në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, mbajti takimin e katërt të radhës.
Në këtë takim merrnin pjesë Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Hasani si dhe zëvendësministri i Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli.
Në takim ishin prezent edhe Drejtori i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, Markus Baechler dhe nga Ambasada e Luksemburgut Pierre Weber.
Në takimin e katërt Këshilli aprovoi Politikën e Qeverisë për Ujëra dhe vendosi që tia dorëzojë Kabinetit Qeveritar për miratim.
Gjithashtu iu sugjerua Sekretariatit të Këshillit që ta finalizojë Strategjinë për Integrimin e Sistemeve Rurale të Ujësjellësit në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet përkatëse dhe t`ia paraqes Këshillit për aprovim.
Po ashtu u raportua për aktivitetin e Grupit Punues Ndërinstitucional për Menaxhimin e Thatësisë, të themeluar kohë më parë nga Këshilli, konkretisht mbi punimet rreth transferimit të ujit nga Ujmani në Badovc.
Me këtë rast u theksua se vazhdojnë punimet intensive rreth pastrimit të Kanalit Ibër - Lepenc dhe zëvendësimi i gypit përballë minierës së Kishnicës. Gypi pritet të lëshohet nga java e ardhshme, pasi që të bëhen analizat për cilësinë.
Gjithashtu u raportua mbi aktivizimin e puseve në Llukar që do të zvogëlojnë ngarkesën në liqenin e Batllavës, si dhe në Gërmi që do lehtësojnë gjendjen në Badovc.
Njëkohësisht janë duke u bërë hulumtime mbi burime tjera alternative për sigurimin e ujit të pijshëm.
Reshjet e fundit kanë ndikuar pak në ngritjen e nivelit. Po ashtu, u vendos që të merren masa më të rrepta për mbrojtjen e liqenit të Batllavës.
Këshilli vlerësoi kontributin e institucioneve qendrore, të Komunës së Prishtinës, Kompanisë Rajonale të Ujit - Prishtina dhe Kompanisë Ibër-Lepenc, si dhe komunitetit të donatorëve.