Aprovimi i kredive nga Bankat e Kosovës arrin nivelet rekorde që nga paslufta
Prishtinë, 10 shtator - Në bazë të dhënave të raportuara për periudhën e fundit të muajit korrik 2020, niveli i kredive të reja të aprovuara vetëm për këtë muaj ka shënuar vlerën prej 181.5 milionë euro - vlerën më të lartë që prej krijimit të sistemit bankar në Kosovë.
Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija tha se kjo vlerë rekorde e arritur e sektorit bankar është shënuar, megjithëse gjashtë mujori i parë i vitit 2020 ka rezultuar të jetë me sfida të mëdha nga goditja e rëndë e pandemisë globale COVID-19, duke rezultuar në pasoja të mëdha si për shëndetin e njerëzve ashtu edhe për sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Qëllimi i sektorit bankar është që të vazhdoj të kreditoj ekonominë e Kosovës duke i mundësuar bizneseve dhe ekonomive familjare që të kenë qasje në financa në këto rrethana kur kërkohet më shumë likuiditet për ekonominë e Kosovës, ka shtuar Balija.
Të dhënat e fundit tregojnë që krahas kreditimit të lartë bankat kanë aprovuar po ashtu një numër të konsiderueshëm të aplikacioneve për shtyrjen e pagesave të kredive në vlerë prej 1.5 miliard euro kështu duke krijuar fleksibilitetin e nevojshëm në ekonomi gjatë kësaj periudhe.
Norma mesatare efektive e interesit për kredi ka shënuar rrënje të dukshme në vitet e fundit duke arritur në 6.2%, normë kjo që është në mesataren e rajonit.
Shoqata e Bankave të Kosovës ka bërë të ditur se mirëpret aprovimin e draft ligjit për rimëkëmbje ekonomike dhe apelon tek kuvendi i Republikës së Kosovës që sa më shpejtë të miratoj këtë ligj dhe të zbatohet për të shpëtuar ekonominë e Kosovës.