Antonella Bassani bëhet Zëvendës-Presidente Bankës Botërore për Evropë dhe Azi
Washington, 3 prill - Antonella Bassani është Zëvendës-Presidentja e re e Bankës Botërore për rajonin Evropë dhe Azi Qendrore, ku do të drejtojë punët rreth strategjisë, financave dhe analizave.
Znj. Bassani, shtetase italiane, shërbeu si zëvendëspresidente e Bankës Botërore për buxhetin, rishikimin e performancës dhe planifikimin strategjik.
Më parë ajo ka shërbyer si drejtore për çështje të strategjisë dhe operacioneve për Bankën Botërore në dy rajone (Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, si dhe Azia Lindore dhe Paqësori) ku ofroi udhëheqje strategjike dhe mbështetje për ekipet rajonale në realizimin e strategjive, operacioneve, financimit fleksibël dhe novator, si dhe të shërbimeve të njohurive.
Bassani shërbeu gjithashtu si drejtore për mobilizimin e burimeve, duke menaxhuar ripërtëritjen e burimeve për Shoqatën Ndërkombëtare të Zhvillimit, fondin e Bankës për më të varfrit.
“Kam kënaqësinë t’i bashkohem radhëve në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore”, tha Bassani. “Nga tranzicioni i gjelbër deri tek energjia dhe siguria e ushqimit, unë i njoh sfidat e mëdha me të cilat përballen vendet që janë klientë tanët, veçanërisht në përmbyllje të pandemisë së COVID-19 dhe në mes të pushtimit rus të Ukrainës. Pres me padurim të punoj krah për krah me homologët tanë qeveritarë, partnerët tanë të zhvillimit dhe stafin e Grupit të Bankës Botërore për t’i trajtuar këto çështje.”
Bassani sjell 30 vjet përvojë zhvillimi në këtë pozitë. Përveç rajonit të Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe atij të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, ajo ka punuar gjithashtu në Afrikën Sub-Sahariane dhe Amerikën Latine dhe Karaibe, duke kombinuar njohuritë operacionale dhe ekspertizën financiare nga i gjithë institucioni. Përpara se t’i bashkohej radhëve të Bankës, Bassani ka punuar në OECD në Paris. Ajo ka doktoratë në fushën e ekonomisë ndërkombëtare nga Universiteti Johns Hopkins.
Rreth EQA:
Banka Botërore punon me vendet që gjenden në Evropë dhe Azinë Qendrore për të reduktuar varfërinë dhe për të promovuar prosperitetin e përbashkët, nëpërmjet rritjes së kapitalit njerëzor, mundësimit të tregjeve, lehtësimit të tranzicionit të gjelbër, si dhe ndërtimit dhe forcimit të institucioneve. Në vitin fiskal 2022, Banka Botërore miratoi 8.5 miliardë dollarë huadhënie për rajonin për 47 operacione, duke përfshirë 6.0 miliardë dollarë zotime nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) dhe 2.5 miliardë dollarë zotime nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA).