Angazhime për fuqizimin e gruas në afarizëm
Prishtinë, 20 mars - Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, organizuar nga Sektori për Çështje Kulturore i Ambasadës së SHBA-ve, në Prishtinë, pritën eksperten nga SHBA-ja, znj. Juli R Weeks, e cila njëherësh është presidente dhe kryeshefe e Womenable, ndërmarrje shoqërore fitimprurëse që punon për të mundësuar ndërmarrësinë e grave në botë, duke përmirësuar sistemet,ligjet, politikat, programet etj.
Nikoqirja e takimit, kryetarja e GGD-ës, znj Teuta Sahatqija, pasi i shprehu mirëseardhje znj. Weeks në Kosovë, foli për punën e Parlamentit, ligjet që rregullojnë afarizmin, si dhe nevojën për të amendamentuar disa ligje me qëllim të lehtësimit të hapjes dhe zhvillimit të afarizmit të grave, si dhe për nevojën e fuqizimit ekonomik të gruas që është edhe një nga objektivat e GGD-ës.
Znj. Weeks, e cila ka punuar edhe si drejtoreshë ekzekutive e Këshillit Kombëtar të Biznesit të Grave, një trup këshillues politik jopartiak, i krijuar nga Kongresi i SHBA-ve për bizneset e vogla, praktikat e grave në ndërmarrësi, rëndësinë e përfshirjes së perspektivës gjinore në programet zhvillimore, si dhe rëndësinë e zbatimit të ligjeve të mira që demokratizojnë vendin dhe promovojnë barazinë gjinore, rol i cili u takon edhe grave në parlament.
Weeks foli edhe për rëndësinë e trajnimit të grave, për të hapur e zhvilluar afarizëm të suksesshëm.
Znj. Brovina foli për shkallën e lartë të papunësisë, sidomos të grave dhe rëndësinë e inkurajimit të grave për veprimtari zejtare dhe bujqësore.
Donika Kadaj foli për aspektet e zbatimit të ligjit të trashëgimisë, i cili do të përmirësonte pozitën e gruas, sikur ajo të kishte të drejtën e kolateralit, si dhe nevojën e krijimit të fondeve strukturale (praktikë shumë e suksesshme në disa vende).
Alma Lama theksoi rëndësinë e aplikimit të masave të reciprocitet me vendet tjera, sepse bizneset në Kosove ballafaqohen me konkurrencë jolojale.
Deputetja Myzejene Selmani foli për mundësitë e barabarta, kurse Ganimete Musliu foli për shembujt, se si gratë mund t i ndihmojnë gratë. Në takim morën pjesë edhe deputet Lirie Kajtazi, Teuta Haxhiu etj.