Anëtarësimi në CEB i hap rrugë financimeve sociale në Kosovë
Vendimi është marrë të premten, në takimin e Bordit të Drejtorëve të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës në Maltë, ku me 31 vota pro nga 39 anëtarë, u votua që të pranohet aplikimi i Republikës së Kosovës për anëtarësi të plotë në këtë institucion, degë autonome e Këshillit të Evropës (KE).
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, në një konferencë për medie, ka shpalosur detaje rreth anëtarësimit dhe rëndësisë së madhe që ka për Republikën e Kosovës, anëtarësia në këtë institucion të rëndësishëm financiar.
Sipas Selimit, Kosova mund të përfitojë 30 deri në 40 milionë euro në vjet nga anëtarësimi në këtë Bankë, e cila njëherësh është edhe organizata më e madhe pas BERZH-it, në të cilën Kosova është pranuar me të drejta të plota nën emrin kushtetues të Kosovës dhe pa fusnotë.
Ai ka thënë se Kosova do të përfitojë kryesisht në projektet sociale.
Pritet që 30 deri në 40 milionë euro në vjet të jenë të gatshme me kredi shumë të volitshme të dedikuara për projekte të natyrës sociale, që kanë të bëjnë me përforcimin e barazisë sociale dhe projekte që kanë të bëjnë me të zhvendosurit, shtëpitë për të vobektit, tha Selimi, duke shtuar se këto projekte do të kenë për qëllim kryesor forcimin e komponentës sociale.
Selimi po ashtu tha se anëtarësimi në këtë Bankë ka qenë prioritet i ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, dhe është rezultat i një pune një vjeçare.
Kjo votë është rezultat i një pune të gjatë të ministrive si motra, por ka qenë në prioritet edhe të ministrit Enver Hoxhaj, i cili për këtë punë tash e një vjet ka zhvilluar biseda në Strasburg me anëtarët si dhe me guvernatorin e Bankës në Paris, ka thënë ai.
Anëtarësimi në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës, që vjen vetëm pak ditë pas njohjes së Kosovës nga disa shtete, përbën një sukses të madh për Ministrinë e Jashtme, në këtë fazë të aktiviteteve për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.