Anëtarësimi në BERZH, Kosova do të përfitojë miliona euro
Prishtinë, 19 nëntor - Nën udhëheqjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është mbajtur mbledhja e 102-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në të cilën është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr 03/1-I-199 për Gjykatat, si dhe është plotësuar vendimi i Qeverisë nr 02/93 i datës 4 tetor 2012 për rritjen e pensioneve në Kosovë.
Në fillim të mbledhjes, kryeministri Thaçi tha se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është lajm i shkëlqyer dhe shumë domethënës për shtetin dhe për qytetarët e Kosovës.
Tash e dy vite, së bashku me partnerët tanë, kemi zhvilluar një betejë të jashtëzakonshme që Republika e Kosovës të bëhet anëtare fuqiplotë dhe përfituese e investimeve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Anëtarësimi i shtetit të Kosovës në BERZH është edhe një projektim zyrtar i besimit të demokracisë kosovare ndër shtetet perëndimore ka thënë kryeministri Thaçi.
Benefit tjetër nga ky anëtarësim do të jetë edhe ai ekonomik, pasi kjo bankë investon në shtete në tranzicion, dhe atë në bizneset private, banka lokale, projektet publiko-private por edhe komunat tha Thaçi.
Pritet që Kosova, që në vitet e para të anëtarësimit, të përfitojë investime me dhjetëra miliona euro, me kushte të volitshme por edhe me projekte konkrete. Anëtarësimi i Kosovës në BERZH është edhe një dëshmi se procesi i normalizimit në Ballkan dhe i njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran ka marr hov të pakthyeshëm dhe tashmë është etabluar si fakt historik ka thënë kryeministri Thaçi.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi bëri të ditur se është vendosur krijimi i një Komiteti Ndërministror dhe Trans-Institucional, i përbërë nga ministritë përkatëse, që do të përkujdeset që bizneset dhe projektet investuese në Kosovë të kenë informata të shpejta dhe të sakta për mënyrën e financimit nga BERZH-i.
Poashtu, kryeministri Thaçi para kabinetit qeveritar ka bërë të ditur se ka pranuar konfirmimin zyrtar nga shteti i Fixhit për njohjen e Republikës së Kosovës.
Në mbledhje është miratuar projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-199 për Gjykatat, me qëllim të ndryshimit dhe plotësimit të dispozitës që ndërlidhet me shfuqizimin e ligjeve tjera, përkatësisht shfuqizimin e Ligjit për Kundërvajtje.
Miratimi i këtij projektligji me qëllim të ndryshimit dhe plotësimit të dispozitës së Ligjit Nr.03/L-199 për Gjykatat për të siguruar që Ligji për Kundërvajtje mbetet në fuqi pas hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 03/L-199 për Gjykata.
Poashtu, është ndryshuar dhe plotësuar vendimi numër 02/93 i Qeverisë së Kosovës, të cilës i janë shtuar edhe dy pika. Me vendimin e ri, pensionet do të rriten edhe për pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), në total në lartësi prej 40%.
Lartësia prej 26.25% e rritjes së këtij pensioni do tu paguhet shfrytëzuesve që nga data 1 Janar 2012, ndërsa lartësia tjetër e rritjes së këtij pensioni do të paguhet nga data 1 Janar 2013.