Anëtarësimi në Bankën Botërore ka sjellë përfitime të mëdha për Kosovën
Prishtinë, 21 shtator - Gjatë viteve të kaluara, Kosova ka përfituar në mënyrë të konsiderueshme nga mbështetja e Grupit të Bankës Botërore.
Banka Botërore është një nga institucionet e para financiare me karakter multilateral së cilës Republika e Kosovës i është bashkuar pas pavarësisë së saj. Lirisht mund të them se për Kosovën, si një ekonomi e vogël dhe në zhvillim, anëtarësimi në Bankën Botërore më 2009 ka sjellë përfitime të mëdha.
Megjithatë, më duhet të theksoj se niveli i bashkëpunimit dhe përkrahja e Bankës Botërore, qoftë në formën e asistencës teknike, apo të mbështetjes financiare, është rritur në masë të konsiderueshme nën presidencën e Dr. Jim Young Kim. Dr. Kim mori zyrën e presidencës së Grupit të Bankës Botërore në vitin 2012, dhe që atëherë, Kosova ka parë një përkushtim të veçantë të Dr. Kim në drejtim të promovimit dhe realizimit të objektivave të Bankës Botërore për t\'i dhënë fund varfërisë dhe për të nxitur prosperitetin e përbashkët. Duke pasur parasysh mjedisin ekonomik botëror dhe vështirësitë me të cilat po përballemi tani e disa vite, Dr. Kim dhe vizioni i tij, përmes programeve të ndryshme të mirë-dizajnuara dhe të implementuara me kujdes nga stafi i Bankës Botërore, ka kontribuar shumë në përmirësimin e cilësisë së jetës anekënd botës.
Në Kosovë, nën udhëheqjen e Dr. Kim, Banka Botërore ka formësuar dhe dizajnuar programet e saj sipas nevojave më akute të vendit dhe politikave tona më prioritare. Grupi i Bankës Botërore ka mbështetur reformat në sektorin e shëndetësisë, arsimit, sektorin e energjisë, mjedisit, politikat sociale, sektorin financiar dhe një sërë reformash tjera shumë të rëndësishme. Prandaj mund të them lirisht se si rezultat i mbështetjes së marrë nga Grupi i Bankës Botërore, Kosova ka arritur rezultate të prekshme në shumicën e këtyre sektorëve.
Megjithatë, mbetet shumë për t\'u bërë dhe ne llogarisim në mbështetjen e Grupit të Bankës Botërore. Qeveria e Kosovës është e angazhuar shumë në implementimin e agjendës së saj të reformave, duke përfshirë edhe zhvillimin e kapaciteteve të reja të energjisë që janë më se të nevojshme për zëvendësimin e teknologjisë tejet të vjetërsuar, dhe e cila teknologji mbart kosto jashtëzakonisht të larta mjedisore dhe sociale. Qeveria jonë vazhdon po ashtu promovimin e zhvillimi të bujqësisë dhe agrobiznesit përmes intensifikimit të investimeve që përmirësojnë infrastrukturën e nevojshme.
Ne mbesim të përkushtuar ndaj politikave që synojnë mbrojtjen e ambientit, reformave në sektorin e shëndetësisë, dhe përmirësimit të përgjithshëm të ambientit të të bërit biznes. Duke përfaqësuar një vend që ndodhet brenda një periudhe transformimesh të thella, më duhet të them se një ri-zgjedhje e Dr. Kim edhe për një mandat tjetër si President i Grupit të Bankës Botërore do të ishte një sinjal i fortë që siguron vendin tonë se mbështetja e Bankës Botërore për përpjekjet tona reformuese do të ofrohet në mënyrën më efektive të mundshme.
Prandaj, si Guvernator i Republikës së Kosovës në Grupin e Bankës Botërore, ofroj mbështetjen time të plotë për rizgjedhjen e Dr. Kim si President i Grupit të Bankës Botërore për një mandat të dytë. Grupi i Bankës Botërore ka nevojë për një president si Dr. Kim, me që jam shumë i bindur se përvoja, përkushtimi, dhe lidershipi i tij do jenë shtytje e mëtejshme për reformat e nevojshme për arritjen e objektivave të Grupit të Bankës Botërore për një botë më të mirë, pa varfëri dhe me një prosperitet të përbashkët për të gjithë.