Ambasada Britanike ndihmon Gjakovën për konsulencë të bizneseve
Gjakovë, 22 korrik - Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi OConnell, sot kanë nënshkruar marrëveshjen e grantit të akorduar nga Ambasada Britanike në Kosovë për Komunën e Gjakovës, respektivisht Qendrën Inovative Jakova Innovation Centre, si partnere implementuese.
Ky grant i akorduar për Qendrën Inovative JIC ka të bëjë me themelimin e Zyrës për Zhvillim dhe Konsulencë të Bizneseve (Business Development and Consulting Office), zyrë kjo që nga ky muaj do të jetë në funksion të ofrimit të trajnimeve dhe shërbimeve shtesë për përkrahjen e bizneseve fillestare lokale.
Po ashtu, në kuadër të këtij projekti do të përkrahet edhe dizajnimi i ëebfaqes dhe aplikacionit për qasje mobile, i cili do të përmbajë të dhëna lehtësisht të disponueshme për investitorët potencial në Komunën e Gjakovës. Për këtë qëllim shuma e përkrahur nga ambasada britanike për këtë grant është në lartësinë prej 19,629 funta.
Me rastin e nënshkrimit solemn të këtij akti, kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ka theksuar se është kënaqësi e veçantë, sepse paraqet një shenjë të rilindjes, të shpirtit ndërmarrës të Gjakovës.
Për këtë, ka theksuar më tej kryetarja Mimoza Kusari Lila, duhet të falënderojmë qeverinë dhe Ambasadën e Britanisë së Madhe për besimin e dhënë për fillimin e shërbimeve në esencë, për çfarë edhe është themeluar Qendra Inovative JIC.
Në kontest të hapjes së kësaj zyre dhe të tërheqjes së bizneseve private, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka përmendur Konferencën e Investitorëve, që do të mbahet me datë 29 korrik ku do të tregohet për idetë që ka Komuna e Gjakovës për sektorin privat.
Ambasadori britanik, Ruairi OConnell, është shprehur se: Më vjen shumë mirë që me Komunën e Gjakovës dhe me Qendrën Inovative, po bëjmë një punë konkrete për përurimin e ambientit të të bërit biznes.
Zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës dhe zhvillimi i privatizimit janë ndër synimet e Kosovës si shtet i ri dhe që duhet të mbështetet në forcat e veta dhe në potencialin e saj njerëzor.
Më vjen shumë mirë që Gjakova punon në këtë drejtim. Ndërsa, Fatos Axhemi nga Qendra Inovative JIC ka theksuar se ky inkubator është një qendër permanente për konsulencë dhe trajnim të bizneseve