12 Maj 2024

Alternativa e Vetëvendosje!-s për politikat fiskale

Prishtinë, 9 tetor - Lëvizja Vetëvendosje! sot paraqiti alternativën qeverisëse në lidhje me politikat fiskale si dhe shpërndarjen e tyre në Buxhetin e Kosovës.

Këtë prezantim, përmbajtja e të cilës do të shqyrtohet në Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosje!-s e paraqitën Shpend Ahmeti dhe Visar Ymeri.

Ahmeti ka thënë se nisur nga gjendja ekzistuese, niveli i zhvillimit ekonomik dhe niveli i përgatitjes teknike të administratës tatimore, roli i politikave fiskale me vite u reduktua në dy elemente bazë, në atë të gjenerimit të të hyrave të mjaftueshme buxhetore dhe në alokimin e resurseve buxhetore drejt ofrimit të shërbimeve publike.

Si rrjedhojë sipas tij tri synimet e tjera me rëndësi të politikave fiskale: mbështetja e rritjes ekonomike, stabilizimi ekonomik dhe ulja e pabarazisë sociale u anashkaluan.

Ahmeti ka theksuar se buxheti modest i Kosovës, financohet në masë të madhe nga të hyrat në doganë të cilat janë rreth 830 milionë Euro, dhe shumë pak nga të hyrat e tjera vendore (në të hyra dhe tatimet në pronë).

Të hyrat doganore reflektojnë tre lloj tatimesh, Tatimin në Vlerë të Shtuar (TVSh), Doganat dhe akcizat në mallra të caktuara.

Këto tatime sipas tij janë tatime në konsum, ku i gjithë tatimi i bartet konsumatorit përfundimtar. Shumica e konsumit në Kosovë është konsum i mbijetesës, pra, mund të konkludojmë që buxheti i Kosovës financohet nga tatimet mbi klasën e varfër dhe të mesme.

Tatimi i tanishëm në të hyra është shkallë progresive deri në dhjetë për qind, shkallëzuar me 0, 4, 8 dhe 10 për qind.

Duke marrë parasysh që shumica e punësimit në Kosovë është me rrogë mesatare prej 300 Eurosh, Vetëvendosje konkludon që shumicën e tatimeve e paguajnë shtresa e mesme e ulët e popullatës.

Pasi që nuk ka pagesa të tjera të sigurimeve shëndetësore dhe sigurimeve të tjera, Kosova ka koston më të ulët të pagës në regjion.

\"Në të njëjtën kohë shtresa e varfër dhe shtresa e mesme financojnë pjesën më të madhe të buxhetit të Kosovës. Por, shtresa e varfër dhe shtresa e mesme nuk e përfitojnë pjesën më të madhe të buxhetit të Kosovës\", ka theksuar Ahmeti.

Papunësia e lartë (rreth 45%, nga të cilët, 17% në varfëri ekstreme), si dhe paga mesatare e ulët, e mban ekonominë peng të moszhvillimit, që mbyllet në rreth vicioz me politikat fiskale të qeverisë.

Administrata tatimore është joprofesionale, dhe burim i korrupsionit e i shkeljeve. Legjislacioni është shpesh i përkthyer e i kopjuar, i papërshtatur me situatën reale.

Nuk ekzistojnë politikat zhvillimore, që do ta vinin politikën fiskale në funksion të punësimit dhe të rritjes ekonomike.

Parimet dhe Qëllimet Alternativës së Vetëvendosje!s

Vetëvendosje! i bazon politikat e saja fiskale në parimet e drejtësisë dhe barazisë në tatime dhe shpërndarje, si dhe mendon se politikat fiskale duhet të punojnë drejt arritjes së stimulimit të prodhimit, investimit dhe krijimit të vendeve të punës. Gjithashtu politika e fiskale duhet të bëjnë balancimin e barrës të financimit të buxhetit, në bazë të të mirave që qytetarët përfitojnë nga paratë publike. Sot, shtresa e varfër dhe shtresa e mesme paguajnë shumicën e buxhetit por përfitojnë pakicën e buxhetit.  Me Lëvizjen Vetëvendosje! kjo barrë do të bartet gradualisht tek ata që mund të bartin këtë barrë dhe që përfitojnë më shumë nga shoqëria.

Pjesë e rëndësishme e synimeve tona është që të realizojmë lehtësimin e barrës tatimore për shtresën më të varfër, duke larguar tatimet në konsum të prodhimeve bazë ushqimore. E kjo do të thotë TVSh zero për bukën, vajin, miellin, kripën, qumështin, sheqerin, librat.

Kjo duke u shoqëruar me marrjen e masave të cilat ndikojnë në rritjen e buxhetit, solidaritetit, dhe krijimin e një ekonomie të qëndrueshme për të ndërtuar pra, një buxhet të balancuar dhe të fortë i cili siguron financimin e prioriteteve kryesore për fuqizimin e shtetit.

Tatimi në ardhurat personale

Vetëvendosje! beson se tatimi duhet të jetë progresiv duke rritur të hyrat nga tatimet në të ardhura, duke u afruar në nivelet e shteteve më të zhvilluara të Evropës dhe ShBA-ve.  Ky nivel progresiv i tatimeve do të zbatohet në vite për të siguruar tranzicionin e nevojshëm të mbledhjes së të hyrave. Kjo për t’u siguruar se shtresa e varfër dhe e mesme do të paguajnë më pak tatime nën qeverisjen e Vetëvendosje!-s ndërsa shtresa e pasur do të kontribuojë më shumë drejt zhvillimit të vendit, në përputhje me të mirat që i gëzon nga shoqëria.  Këto nivele të tatimit do të jenë të lidhura me pagën minimale, pasi kjo e fundit të jetë njësuar. Progresioni i tatimeve do të jetë nga  0% për paga minimale, në 5% për trefishin e pagës minimale, 10% për pesëfishin e pagës minimale, 20% për dhjetëfishin, dhe 30% për njëzetfishtin i pagës minimale. Ndërsa taksa korporative do të ketë margjinat e barabarta me taksën mbi të ardhurat.


Tatimi në Vlerë të Shtuar

Duke marrë parasysh që Bashkimi Evropian lejon dhe rekomandon disa nivele të Tatimit në Vlerë të Shtuar, dhe duke marrë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike e sociale në vend, Lëvizja Vetëvendosje! do të implementojë shkallëzimin e Tatimit në Vlerë të Shtuar në Kosovë në tri nivele. TVSh do të jetë e përjashtuar për prodhimet ushqimore bazë të jetës në Kosovë, pra për bukë, vaj, kripë, sheqer, qumësht, miell e libra.

Ndërsa produktet që konsiderohen si më luksoze dhe më të panevojshme do të rriten deri në shkallë prej 20 për qind, në nivel me shumë shtete të Bashkimit Evropian.  P.sh. restorantet do të jenë në shkallë TVSh-je prej njëzet për qind. 

Kjo politikë do ta bartë barrën e TVSh-së nga shtresa e varfër tek shtresat që qëndrojnë më mirë në shoqëri. Pasi që TVSh është tatim në konsum, dhe në një mënyrë shpërblen apo ndëshkon një aktivitet të caktuar, do të përdoret si politikë nga qeveria e Vetëvendosje!-s për të stimuluar apo destimuluar aktivitete të caktuara.

Lëvizja Vetëvendosje! do të largojë TVSh-në në arsim, sepse arsimimi nuk duhet të tatohet, si dhe do të lehtësojë të gjitha aktivitetet arsimore me interes për shoqërinë nga Tatimi në Vlerë të Shtuar. 


Tatimi në fitim

Kosova ka një shkallë prej 10 për qind tatimi në fitim, që është në nivel me shumicën e shteteve në rajon. Kjo shkallë është ulur në shumicën e shteteve për të promovuar investimet e huaja direkte.

Në Kosovë, që nga ulja e tatimit ka rënie të investimeve si të huaja ashtu edhe vendore, prandaj nuk mund të thuhet se kjo ulje ka stimuluar investimet. Po ashtu, nuk ka dëshmi se ulja e tatimit në profit ka sjell riinvestim të mjeteve në hapje të vendeve të reja të punës. Tatimi në fitim do të rivlerësohet.

Kjo politikë tatimore do të përdoret nga Vetëvendosje! për të stimuluar hapjen e vendeve të reja të punës. Me shkallëzim, qeveria jonë, do të ofrojë lehtësime tatimore për investimet që synojnë aktivitete prodhuese dhe hapjen e vendeve të punës. Çdo kompani që dëshmon riiinvestimin e fitimit për hapjen e vendeve të reja të punës, sidomos në prodhim, do të lirohet nga tatimi në profit.

Tërheqja e fitimit në të hyrat personale dhe konsum do të tatohet në përputhje me parimet e mësipërme. Tatimi në pronë do të rivlerësohet për të balancuar barrën e tatimit në mes të popullatës sipas të mirave që përfitojnë nga shoqëria si dhe duke marrë parasysh nevojën e Kosovës për të punuar tokat bujqësore e si rrjedhim tokat e papunuara do të tatohen më lartë. Kjo me qëllim motivimin për ta punuar tokën.

Politikat Monetare

Republika e Kosovës është e kufizuar në politikat fiskale për shkak se valuta zyrtare e Republikës së Kosovës është Euro edhe pse Euro ofron stabilitet të valutës, në të njëjtën kohë i pamundëson politikat shtetërore monetare. E po ashtu për shkak të fuqisë që ka kjo valutë krijon vështirësi në eksportet e Kosovës, të cilat janë relativisht më të shtrenjta.

Duke marrë parasysh edhe diskutimet e fundit mbi të ardhmen e Euros si dhe perspektivën afatgjatë dhe të largët të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, Kosova duhet të fillojë planifikimin dhe negociatat me Republikën e Shqipërisë për adaptimin e valutës së përbashkët të dy shteteve.

Kjo do të lehtësonte dhe do të promovonte tregtinë dhe bashkëpunimin në mes të dy shteteve deri te bashkimi kombëtar. Ky planifikim do të nënkuptonte edhe procedurat mbi ndërtimin e përbashkët të politikave monetare kombëtare.




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)