Aliu: Sërish rregullorja për zgjidhjet urbane
Prishtinë, 11 shkurt - Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Liburn Aliu, ka deklauar se fokus kryesor i Drejtorisë së Urbanizmit ka qenë prodhimi i dokumenteve të shkruara, hulumtimi i mënyrave të zgjidhjeve të problemeve me të cilat jemi ballafaquar gjatë vitit të kaluar.
\"Që të mund të vendoset rregull, është e domosdoshme që ti kemi dokumentet e shkruara. Ballafaqimi me probleme të shumta na ka shpjerë gjithmonë tek dokumenti që ka munguar dhe mund të themi që në 6 mujorin e dytë të vitit 2014, fokus kryesor i Drejtorisë së Urbanizmit ka qenë prodhimi i dokumenteve të shkruara, hulumtimi i mënyrave të zgjidhjeve të problemeve me të cilat jemi ballafaquar gjatë vitit të kaluar, kështu deklaroi në fillim të konferencës për media Liburn Aliu, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit.
Aliu tha se në Kuvendin Komunal nga Drejtoria e Urbanizmit do të dërgohet sërish rregullorja për zgjidhjet urbane.
Në mungesë të përcaktimit të këtyre kritereve, në Komunën e Prishtinës përpos që kemi pasur parcelizime të mbrapshta që kanë cenuar dhe lejuar që në një farë mënyre interesi dhe profiti të jetë dominant kundrejt interesit qytetar, me këtë rregullore po përpiqemi ne të përcaktojmë zgjidhjen e këtyre problemeve që i kemi nëpër terren, tha drejtori Aliu.
Zgjidhjet për raste të tilla, sipas Aliut, mund të gjinden vetëm përmes rregullores për zgjidhjet urbane ku janë përcaktuar kriteret minimale për madhësinë e parcelave, për komunikimin si dhe për hapësirën publike.
Gjithashtu, drejtori Aliu tha se në funksion të lehtësimit të procedurave të dhënies së lejes së ndërtimit, Komuna e Prishtinës është duke punuar në përgatitjen e udhëzuesve se si mund të merret leja ndërtimore dhe si cilat janë kriteret që duhet të plotësohen për marrjen e lejes ndërtimore.
Ai i informoi gazetarët e pranishëm se në funksion të bizneseve, Drejtoria e Urbanizmit ka hapur një shërbim që është vetëm në shërbim të objekteve të kategorisë së dytë që kanë të bëjnë kryesisht me objektet shumëbanesore kryesisht, pra për biznese që duan të bëjnë investime, do të mund të marrin informatat e nevojshme para se të bëhet aplikimi për leje.
Nëse në të kaluarën një zyrtar ka qenë pashë për një territor të caktuar sepse e ka menaxhuar vetë planin rregullativ, i ka menaxhuar vetë zgjidhjet urbane, vetë i ka dhënë lejet që kanë mund të jenë në kundërshtim me planin, ndërsa prapë e ka menaxhuar edhe revidimin e atij plani duke ia përshtatur lejeve që i ka dhënë vet, tash tërë procesi i dhënies së lejeve ndahet në faza ku zyrtarë të ndryshëm dhe shërbime të ndryshme ndaras i kryejnë këto faza, tha Aliu, i cili paralajmëroi edhe themelimin e Drejtorisë së Planifikimit në të ardhmen.
Gjatë kësaj konference, drejtori Aliu prezantoi edhe shembuj konkret që ilustronin degradimin urbanistik të kryeqytetit në të kaluarën, si dhe veprimet që janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren me këto objekte në të ardhmen, pa përjashtuar edhe rrënimin e tyre.
Ai paralajmëroi se gjatë muajve në vijim do të mbahen diskutime publike edhe për pesë pilot plane rregullative, ndërsa u shpreh se qëllimi i Komunës së Prishtinës është që qytetarët të trajtohen të barabartë, e jo si në të kaluarën kur në rastet e tejkalimeve të lejeve të ndërtimeve, persona të caktuar kanë përfituar miliona euro, ndërsa përshtatjet e këtyre planeve janë bërë, siç i quajti ai, për të fortit.
Gjithashtu, drejtori Aliu tha se deri më tani është bërë regjistrimi i 21 mijë ndërtimeve pa leje, ndërsa tha se shumë objekte të cilat kanë bërë tejkalimi është e domosdoshme që të aplikojnë për legalizim, pasi që shumica e tyre, sipas tij, nuk e kanë bërë pranimin teknik.
Ai u bëri thirrje të gjitha kompanive të cilat i kanë përfunduar ndërtimet, të aplikojnë për pranime teknike në mënyrë që ti marrin lejet e përdorimit. Ato kompani që nuk aplikojnë për tejkalime, do ta kene problem legalizimin pas përfundimit të afatit, tha Aliu.