Alberta e Kanadas premton ndihmë për Mitrovicën
Mitrovicë, 18 prill - Gjatë vizitës së tij zyrtare disaditëshe në SHBA dhe Kanada, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, është takuar në New York, me Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës, Bekim Sejdiu.
Konsulli Sejdiu e ka njoftuar kryetarin Bahtiri me punën e konsullatës së Republikës së Kosovës në New York dhe për angazhimin e tij dhe të stafit të tij, si në aspektin diplomatik ashtu edhe në atë konsullor.
Ndërsa, kryetari Bahtiri e ka njoftuar z. Sejdiu me planin e tij qeverisës e zhvillimor për Mitrovicën dhe sfidat me të cilat ballafaqohet kjo komunë. Të dytë janë pajtuar se Mitrovica ka rëndësi të veçantë për të gjithë Kosovën dhe se ajo meriton vëmendjen e të gjithëve.
Duke elaboruar detaje nga programi zhvillimor i komunës, kryetari Bahtiri dhe konsulli Sejdiu, janë dakorduar që të punojnë së bashku për të angazhuar sa më shumë në Kosovë në përgjithësi dhe në Mitrovicë në veçanti, diasporën shqiptare në SHBA, përmes investimeve dhe formave tjera të bashkëpunimit.
Roli i shqiptaro-amerikanëve mbetet i shënuar dhe i pashoq në historinë e popullit tonë dhe rrugën tonë drejtë lirisë e pavarësisë. Në të ardhmen e afërt pritet që ky bashkëpunim të rezultojë me projekte konkrete të komunës së Mitrovicës që do të përkrahen nga diaspora jonë në SHBA, ka thënë Bahtiri.
Ndërsa në Edmonton, kryeqytet i Albertës, në Kanada, kryetari Bahtiri ka pas një agjendë shumë të ngjeshur.
Ai i shoqëruar edhe nga profesori Faton Bislimi i Universitetit të Albertës, është pritur nga Drejtori për Evropë në Ministrinë e Marrdhënieve Ndërkombëtare të Albertës, z. Phil Burke; Kryetari i Edmontonit, z. Don Iveson dhe Presidenti e Zëvendës Presidenti i Odës Ekonomike të Edmontonit, z. James Cumming dhe z. Robin Bobocel.
Në të gjitha këto takime, kryetari Bahtiri i ka njoftuar nikoqirët me prioritet për zhvillimin e Mitrovicës dhe nevojat kyçe të qytetit. Fokus i veçantë i është kushtuar zhvillimit ekonomik, rimëkëmbjes së Trepçës dhe gjenerimit të vendeve të reja të punës.
Drejtori për Evropë, Burke ka shprehur gatishmërinë e Ministrisë së tij, por edhe të Qeverisë së Albertës për të vënë në binarë partneritetin ndër-institucional me Mitrovicën, ashtu që është pajtuar që të fillojnë punët për gjetjen e mundësive të bashkëpunimit në fusha konkrete të ndërlidhura me zhvillimin ekonomik.
Ai i ka premtuar kryetarit Bahtiri se do të përcjellë ftesën e këtij të fundit, tek të gjitha bizneset e sektorit privat, por edhe tek institucionet shtetërore për pjesëmarrje në konferencën ndërkombëtare të biznesit që do të mbahet në Mitrovicë, nën patronatin e kryetarit Bahtiri më 15 dhe 16 maj të këtij viti.
Pritje shumë miqësore, kryetarit Bahtiri i ishte rezervuar edhe nga kryetari Iveson i Edmontonit, qytet ky me mbi 1.2 milion banorë.
Të dy kryetarët janë pajtuar që në të ardhmen e afërt të bëjnë aranzhimet e duhura për fillimin e binjakëzimit të dy komunave përkatëse, ashtu që realizimi i projekteve me interes të përbashkët të bëhet më lehtë i mundshëm.
Kryetari Iveson i ka premtuar kryetarit Bahtiri angazhimin e tij për të ndihmuar Komunën e Mitrovicës në fusha të ndryshme, e sidomos në atë të arsimit dhe krijimit të mundësive për punë praktike në Edmonton, për studentët nga Mitrovica.
Ndërkaq, në Odën Ekonomike dhe në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Albertas, një ndër temat bosht të diskutimeve ishte krijimi i një programi për punësim të përkohshëm të qytetarëve të Mitrovicës në Alberta.
Derisa ju keni fuqi punëtore që nuk mund të gjej punë; ne kemi shumë punë për të cilat nuk mund të gjejmë fuqi punëtore, ka thënë ndër të tjera Presidenti i Odës Ekonomike të Edmontonit, z. Cumming, Odë kjo që përfaqëson mëse 2.800 kompani, anëtare e të cilës janë dhe që punësojnë më shumë se 150 mijë punëtorë, në Edmonton me rrethinë.
Me mbështetjen e Qeverisë së Albertës, përkatësisht Ministrisë për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Odës Ekonomike të Edmontonit, në të ardhmen e afërt pritet që të arrihet një marrëveshje që mundësinë për punësim të përkohshëm në Alberta, ta bëj realitet për qytetarët e Mitrovicës.
Qëllimi ynë është krijimi i vendeve të punës në Mitrovicë, por duke e ditur se proceset e ndërlidhura me zhvillimin ekonomik nuk kryhen brenda nate dhe se nevoja e qytetarëve për punë është e madhe, një program i tillë do të ishte shumë i mirëseardhur për ne, është shprehur Bahtiri ndër të tjera.