14 Nëntor 2024

Albana Morina Fiton Gjyqin Ndaj ‘ProCredit Bank’

Prishtinë, 27 maj - Banka detyrohet që Albana Morinën ta kthejë në punë dhe t’ia kompensojë pagat nga momenti i largimit nga vendi i punës, tatimin në ATK dhe kontributet në Trustin Pensional.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktgjykim me të cilin është vendosur se ProCredit Bank t’ia kompensojë pagat Albana Morinës pasi gjeti se ajo ishte larguar kundërligjshëm nga puna.

Sipas vendimit të Gjykatës, banka gjithashtu është e detyruar që Albana Morinën ta kthejë në punë dhe gjithashtu e ka detyruar që Morinës si paditëse e këtij rasti t’i kompensohen pagat nga momenti i largimit nga vendi i punës, tatimi në Administratën Tatimore dhe kontributet në Trustin Pensional.

“Detyrohet e paditura që paditësen ta kthejë në punë dhe në detyrat e punës, analiste për menaxhimin e dokumenteve apo ndonjë vend tjetër që i përgjigjet vendit të punës në të cilin ka punuar paditësja”, thuhet në një pjesë të aktgjykimit.

Rasti i Albana Morinës ka qenë pjesë e një hulumtimi disamujor të cilin emisioni “Jeta në Kosovë” e kishte transmetuar në janar të vitit të kaluar.

Në këtë hulumtim, përveç Albana Morinës, kanë qenë edhe disa punëtorë të tjerë të cilët janë ankuar pasi janë larguar nga puna nga kjo bankë.

Në rastin e Morinës, sipas vendimit,  ProCredit Banka detyrohet që Morinës nga momenti i ndërprerjes së marrëdhënies  së punës e datës 4 qershor 2013 e deri më 31 janar 2016 kur me vendim të gjykatës ishte bërë ekspertiza financiare, t’i kompensohen 22 mijë e 557 euro.

Po ashtu është marrë vendim që banka ta kompensojë Morinën nga një shkurti i këtij viti e deri në zbatimin e aktgjykimit në shumën prej 750 eurove në muaj sipas pagës në vendin e punës në të cilin ka punuar paditësja. Banka si e paditur është detyruar që në llogarinë e Morinës në Administratën Tatimore të paguaj 1667 euro ndërsa në  Trustin Pensional 2550 euro.

Vendimi e detyron gjithashtu që t’ia paguajë edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore në vlerë prej 1164 euro.

Por Gjykata i ka konsideruar si të pa bazuara kërkesat e Morinës për dyfishimin e pagave për shkak të diskriminimit në punë dhe ka refuzuar gjithashtu edhe kërkesën për kompensimin e dëmit jo material në shumën 100 mijë për prishje të imazhit dhe në shumën prej 20 mijë euro për dhimbje shpirtërore.

Paditësja Albana Morina për KALLXO.com tha se nuk është plotësisht e kënaqur me vendimin që ka marrë gjykata e shkallës së parë.

“Fatmirësisht kam mund me përballu këtë rast gjyqësor por për personat tjerë që ju shkelen të drejtat e ligjit të punës dhe duhet me u ballafaqu me gjykatë e avokatë, duhet ta kemi të qartë se nëse punëtorin e paguan vetëm për pagat që është dashur t’i  marrë është tepër pak. Rastet gjyqësore janë duke zgjatë shumë, rasti im ka qenë tre vjet dhe si mund dikush të qëndrojë pa punë dhe të vazhdojë me pagesën e avokatit dhe t’i ndjekë procedurat gjyqësore, si e inkurajon ligji punëtorin që të ndjekë rrugët gjyqësore për t’i zgjedhur problemet e tij me punëdhënësin”, tha Morina.

Megjithatë, ajo u shpreh e lumtur se gjykata ka marrë vendim me të cilin është vërtetuar se “banka ka marrë vendim të kundërligjshëm” por nuk është e kënaqur se pse nuk është dënuar më shumë banka pasi që është vërtetuar se ka marrë një vendim diskriminues.

“Mua më gëzon fakti se përmes aktgjykimit është vlerësuar se ProCredit ka marrë vendim të kundërligjshëm kur më ka largu nga vendi  i punës, kjo është pjesa më e rëndësishme për mua edhe është në interes edhe për të tjerët që kanë kalu të njëjtat sfida sikurse unë por që nuk e kanë ndjekë rrugën gjyqësore. Por jam  e pakënaqur, unë po diskriminohem që gjykata ka vërtetuar se ka pasë diskriminim por nuk ka caktuar një dënim, nëse thuhet se ka pas diskriminim edhe me u kry, pse ai mos me vazhdu me diskriminu në të ardhmen, punëdhënësi mundet me diskriminu punëtorët e tjerë, ai nuk po merr asnjë pasojë nga diskriminimi që ka bërë”, u shpreh Morina.

Morina në fund tha se punëtorët duhet të bëjnë më shumë që të kërkojnë të drejtat e tyre.

“I inkurajoj të gjithë punëtorët që të jenë sa më sy hapur dhe të mos mbështeten vetëm ato në çka thonë avokatët dhe personat në fushën e gjyqësisë, duhet të jemi sa më syhapur dhe t’i shikojmë vetë ligjet që të shohim të drejtat që na takojnë ” përfundoi ajo.

KALLXO.com kontaktoi edhe më përfaqësuesin e Bankës ProCredit, avokatin Kujtim Kërveshi, por ai nuk  dha përgjigje lidhur me vendimin dhe hapat e eventualë që banka mund t’i ndërmarrë në të ardhmen.

“Nuk kam mundësi të deklaroj asgjë për klientët e mi pa pasur autorizim të veçantë”, ishte përgjigjja e Kërveshit.

Në fjalën përfundimtare, ish-punëtorja e “ProCredit Bank”-ës kishte kërkuar nga ish-punëdhënësi dëmshpërblim prej 100.000 euro për prishje të reputacionit, mbi 20 mijë për dhimbje shpirtërore, kompensimin e pagave që nga dita e largimit dhe kthimin në vendin e saj të punës.

 

/kallxo.com/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)