Al Trade shpërblehet edhe me një tender prej Qeverisë
Prishtinë, 8 tetor - Kompania Al Trade, pronë e vëllezërve Gashani nga komuna e Drenasit, e cila në opinion njihet si e afërme me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) është shpërblyer të hënën edhe me një tender prej hiç më pak se 5,8 milionë eurosh, nga Ministra e Administratës Publike (MAP).
Kjo e fundit e ka shpallur kompaninë në fjalë si fituese e tenderi për ndërtimin e qendrës së paraburgimit në Prishtinë. Në këtë tender përpos kompanisë fituese kanë konkurruar edhe 7 kompani të tjera, emri i të cilave nuk po bëhet publik nga MAP-i.
Në njoftimin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) konfirmohet se tenderin në fjalë e ka fituar kompania Al Trade, ku person kontaktues figuron Bajram Gashani. Më tej në njoftim thuhet se kontrata mes Ministrisë dhe kompanisë në fjalë, pritet të nënshkruhet më 16 tetor të këtij viti.
Mirëpo, në anën tjetër zyrtarë të kompanisë fituese nuk kanë dashur të flasin rreth kësaj çështjeje, ngase siç kanë thënë ata nuk janë të autorizuar nga kompania në fjalë.
Personat zyrtarë që janë të autorizuar të flasin për media nuk do të jenë në Kosovë së paku për dy javë, tha përmes telefonit, njëri nga punëtoret e kompanisë në fjalë e i cili nuk deshi të identifikohej për gazetë.
/Zëri/