Al Trade mbi 30 milionë euro tendera nga Qeveria
Prishtinë, 17 tetor - Kompania Al Trade ka fituar tenderë në vlerë prej mbi 30 milionë euro nga Qeveria e Kosovës gjatë viteve të fundit.
Kjo kompani, pronë e vëllezërve Gashani, është fuqizuar tej mase viteve të fundit, sidomos pas ardhjes së Partisë Demokratike të Kosovës në krye të Qeverisë së Kosovës.
E njëjta kompani ka fituar tenderë milionësh edhe nga institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Mbi 15 milionë euro është shuma e tenderëve që ka fituar Al Trade nga këto institucione, kryesisht nga Komisioni Evropian(KE).
Pas kompanisë Bechtel & Enka, e cila është duke e ndërtuar autostradën Morinë- Besi, kohëve të fundit tenderët më të mëdhenj në vend, iu janë besuar kompanisë së vëllezërve nga Drenasi.
Në pesë vitet e fundit kompania e vëllezërve Gashani ka marrë së paku 10 tender, ku secili nga ta kalon shifrën prej një milion euro.
Tenderi i fundit që Qeveria ia ka dhënë kësaj kompanie, është ai për ndërtimin e qendrës së paraburgimit në Prishtinë, vlera e të cilit është hiç më pak se 5 milionë e 845 mijë euro.
KOST-i, 1,7 milionë euro për Al Trade
Po ashtu, kjo kompani më 14.05.2013, ka fituar edhe tenderin për renovimin e fasadës se objektit të KOSTT-it. Në këtë tender patën konkurruar 3 kompani, por në fund zyra e prokurimit fitues e patë shpallur kompaninë Al Trade me vlerë prej 1,789,427 euro.
Po ashtu, Ministria e Arsimit më 06.11.2009, e pati përzgjedhur kompaninë në fjalë si fituese të tenderit për ndërtimin e shkollës fillore në Klinë të Epërme.
/Zëri/