Aksioni për Nëna dhe Fëmijë fton të dhuroni rrobat e dorës së dytë
Prishtinë, 30 qershor - Dyqani Teshavesha po vjen me pikën e dytë të shitjes falë mbështetjes së donatorëve dhe atë të qytetarëve.
\"Këtë radhë, qendra tregtare Albi Mall pjesë e Albi Group, ka dhuruar produkte të reja të tekstilit në vlerë prej 10,000 euro, duke dhënë kështu kontribut të rëndësishëm në mbështetjen e programeve të fondacionit Aksioni për Nëna dhe Fëmijë\", thuhet në një komunikatë të këtij Fondacioni.
Pika e re e Teshaveshës zgjeron veprimtarinë në një pjesë tjetër të qytetit, në rrugën Armend Daci nr.12, në Prishtinë, apo më lehtë për referim përballë memorialit të Enver Malokut, dhe vazhdon të jetë i hapur çdo ditë të javës prej orës 10:00 18:00 si dhe të shtunave prej 12:00 16:00.
\"Gjatë këtij orari qytetarët mund të sjellin donacionet e tyre dhe të blejnë në këtë dyqan bamirës\", thuhet në komunikatë.
Teshavesha vazhdon të bëj pranimin dhe shitjen e rrobave të dorës së dytë nga qytetarët, ndërsa të hyrat nga shitjet e dyqanit ndihmojnë shëndetin e nënave dhe fëmijëve duke financuar projektet e këtij fondacioni si: blerjen e medikamenteve, zhvillimin e projektit të transportit neonatal, blerjen e pajisjeve mjekësore, si dhe zgjerimin e shërbimeve të qendrave informuese për shëndetin e gruas Klasat për Nënat.
Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është fondacion humanitar që i përkushtohet shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë. Ky fondacion zhvillon programe shëndetësore në klinikat gjinekologjike/obstetrike (që përkujdesen për nënat), Njësitë e Kujdesit Intensiv Neonatal (që përkujdesen për foshnjet e lindura para kohe) dhe klinikat pediatrike (që përkujdesen për fëmijë të sëmurë nga leukemia, sëmundje të zemrës, astma dhe sëmundje të tjera) në Republikën e Kosovës.