Aksion për lirimin e sipërfaqeve publike
Mitrovicë, 2 tetor - Drejtoria e Inspekcionit në Mitrovicë ka nisur një aksion për vënien e rendit dhe rregullit nëpër rrugët e qytetit. Është fjala për ndalimin e ekspozimit të mallrave para lokaleve afariste si dhe lirimin e sipërfaqeve publike.
Drejtori i kësaj drejtorie, Lulzim Zeqiri, tha se aksioni që ka nisur me 1 tetor po shkon mirë. Që në ditën e parë të aksionit është vendosur rregull në disa rrugë kyçe të qytetit dhe kjo është mirëpritur edhe nga qytetarët.
Ai tha para se të fillohej me këtë aksion është mbajtur një takim i përbashkët me kryetarin e komunës dhe tregtarët ambulantë, të cilëve u është bërë e ditur se nuk do të tolerohet më vendosja e mallrave nëpër rrugë. Theksoi se kanë gjetur mirëkuptim dhe kanë nisur aksionin.
Drejtori Zeqiri, tha se në aksion është duke i mbështetur edhe policia dhe deri me tani nuk kanë pasur ndonjë problem. Aksioni po zhvillohet gjatë tërë ditës, prej orës 07:00 deri në orën 19:00.