Aksion për largimin e shitësve ambulant nga sipërfaqet publike
Mitrovicë, 3 qershor - Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Mitrovicës, prej fillimit të muajit qershor të këtij viti ka filluar aksionin gjithëpërfshirës për largimin e të gjithë shitësve ambulant nga sipërfaqet publike, mandej largimin e produkteve ushqimore dhe tekstilit që ekspozohen para subjekteve ekonomike.
Drejtori i kësaj drejtorie, Lulzim Zeqiri, tha se ky aksion ka për qëllim futjen në treg të shitësve ambulant si dhe ruajtjen e shëndetit publik të konsumatorëve.
Ai tha se prej dje (1 qershor) poashtu kanë nisur edhe dy aksione të tjera nga kjo drejtori.
Ka nisur largimi i kioskave afër lumit Kej Lushta dhe aksioni i ndërmarrë nga Inspektorati i Tregut, Policia e Kosovës Njësia e Krimeve Ekonomike, Inspektorët e Ministrisë se Financave për verifikimin e dokumentacionit për lojërat e fatit.
Drejtori Zeqiri, tha se gjatë këtyre aksioneve janë inspektuar 27 subjekte ekonomike (lojëra të fatit).
Prej tyre 7 subjekte janë mbyllur nga Inspektorati i Tregut përkohësisht deri në eliminimin e parregullsive, pasi që nuk kanë pasur Lejen për biznes nga komuna.
Ai tha se 5 subjekte janë mbyllur përkohësisht nga Inspektorët e Ministrisë së Financave (Lojërat e fatit). Aksioni ka filluar me datën 01.06.2011 nga ora 6 dhe ka zgjatur deri në orët e vona.