AKP vendos investimin e fondit të mirëbesimit në Kosovë
Prishtinë, 29 gusht - Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e radhës, e cila zgjati deri në orët e vona të pasditës, ku në agjendë kishte shumë çështje për diskutim dhe mori vendime të rëndësishme në të mirë të procesit të privatizimit dhe përgjegjësive ligjore të Agjencisë.
Bordi i Drejtorëve vendosi njëzëri që të fillojë me investimin e një pjese të fondit të mirëbesimit në formë depozitash nëpër bankat komerciale që veprojnë në tregun e Kosovës.
Njëherit, Bordi siguron se Agjencia do të jetë e kujdesshme gjatë këtij procesi dhe do të investoj në përputhje me ligjin e vet dhe kriteret që ka hartuar për këtë qëllim.
E arritur tjetër e rëndësishme është shënuar me vendimin e Bordit për amandamentimin e Strategjisë për shpërndarje të pjesshme të shumës 20 % për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara që janë të përfshirë në listën e AKP-së.
Strategjia për shpërndarje të pjesshme të 20 %, e miratuar nga ana e Bordit në muajin janar 2010 mundësonte shpërndarjen e 75 % të shumës së përgjithshme të 20 %, apo 25 % e shumës së përgjithshme ruhej si fond i sigurisë në rast se me vendimet e formës së prerë lidhur me ankesat dhe kundërshtimet e mundshme ndaj listave aktuale të punëtorëve të NSh-ve Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme e Kosovës shton punëtorë në listat e punëtorëve.
Ndërsa me ndryshimet e miratuara në mënyrë unanime në Bordin e Drejtorëve, tani do të ketë shpërndarje të pjesshme të 20 % deri 90 %, apo në fondin e sigurisë do të ruhet 10 % e shumës së përgjithshme të 20 %.
Ndryshimet e miratuara janë të rëndësishme jo vetëm për procesin e ardhshëm të shpërndarjes së 20 %, por do të jenë me efekt retroaktiv edhe tek shpërndarjet e pjesshme që janë bërë deri më tani nga Agjencia që nga muaji shkurt 2010.
AKP, si administratore e ndërmarrjes Trepça, në kuadër të përgjegjësive të saj ka shënuar angazhime shtesë me qëllim të arritjes së afateve ligjore sipas ligjeve në fuqi.
Bordi i Drejtorëve, në takimin e sotëm diskutoi në lidhje me proceset që po zhvillon Agjencia në ndërmarrjet Trepça, dhe inkurajoi Menaxhmentin e AKP-së që të vazhdoj me procedurat e angazhimit të ofruesve të shërbimeve profesionale përmes tenderit, për çka aprovoi termat e referencës.
Anëtarët e Bordit u pajtuan njëzëri që të lirojnë nga administrimi i drejtpërdrejt i Agjencisë ndërmarrjet shoqërore: Lavërtaria-Blegtoria, Prizren; pastaj NSH Vreshtaria po nga ky qytet dhe NSH Kosovarja-Artizanati nga Prishtina. Tek këto ndërmarrje janë evituar parregullsitë gjatë kohës sa Agjencia ka administruar drejtpërdrejt në to dhe tani e tutje ato do të administrohen nga zyret regjionale të Agjencisë.
AKP ka vazhduar me shitjen e banesave të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore sipas Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, dhe në mbledhjen e sotme Bordi aprovoi vendimet për shitjen e 24 banesave tek shfrytëzuesit e ligjshëm të tyre që i kanë plotësuar kushtet ligjore për blerje. Ky proces i shitjes së banesave në pronësi të NSh-ve është i rëndësishëm dhe i ndihmon procesit të likuidimit të atyre NSh-ve.
E arritur tjetër e radhës e Agjencisë është miratimi nga ana e Bordit të Drejtoreve i listës së punëtorët të NSh Enti për Medicinë dhe Rehabilitim-Banja e Pejës për shpërndarje të pjesshme të shumës së 20%. Në listën përfundimtare të punëtorëve përfitues te kjo ndërmarrje janë përfshirë 136 punëtorë.