AKP shpërndan mbi 5.3 milionë euro për punëtorët e Sharrit
Prishtinë, 10 shtator - Agjencia Kosovare e Privatizimit ka ekzekutuar vendimin për shpërndarjen e pjesshme të pjesës 20 % për punëtorët e ndërmarrjes shoqërore NSH PMN Sharr nga Han i Elezit.
Gjithsej 1563 punëtorë janë kualifikuar në listën e punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje dhe shuma që do tu shpërndahet këtyre punëtorëve nga pjesa e 20 %-it është 5 milionë e 329 mijë e 461 uro.
Agjencia këtë shumë të mjeteve e ka bartur në llogari të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ashtu siç është e përcaktuar ligjërisht mënyra e shpërndarjes së 20 % për punëtorët, ndërsa BSPK do të shpërndaj mjetet te secili punëtorë në llogari individuale.
Lista e punëtorët e ndërmarrjes shoqërore NSH PMN Sharr Han i Elezit është ndër listat më të mëdha për nga numri i punëtorëve dhe për nga shuma e mjeteve që i shpërndahen punëtorëve të ndërmarrjeve të privatizuara dhe paraqet sukses të veçantë për Agjencinë dhe motivim për stafin e AKP-së për punë dhe suksese të reja në të ardhmen.
Nga privatizimi i ndërmarrjes shoqërore PMN Sharr, Han i Elezit dhe i aseteve të kësaj ndërmarrje janë mbledhur gjithsej 41 milionë e 440 mijë uro. Pjesë e kombinatit NSH PMN Sharr kanë qenë edhe ndërmarrjet shoqërore Salloniti, Han i Elezit; FGG Lepenci, Kaçanik; Fabrika për përpunimin e Bllokave Silkapor, Kaçanik dhe Cimentorja po ashtu në Hani i Elezit
Punëtorëve të kualifikuar për të përfituar nga 20 % u takojnë 8 milionë e 288 mijë uro. Pjesa e mbetur e fondeve do të shpërndahet nga Agjencia pasi që Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës të lëshoj Vendimin e formës së prerë lidhur me ankesat dhe kundërshtimet e mundshme ndaj listës aktuale të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.
Këtë vit AKP ka shënuar progres të theksuar në shqyrtimin e listave të punëtorëve dhe në publikimin e këtyre listave në të mirë të punëtorëve, duke arritur deri më tani të publikoj 30 lista fillestare dhe 43 lista përfundimtare të punëtorëve.
Në total deri më tani Agjencia ka shpërndarë mbi 60 milionë euro nga pjesa e 20 %, kurse kanë përfituar 31 mijë e 195 (ish) punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara.