AKP shpërndan 20 % për punëtorët e 42 ndërmarrjeve shoqërore
Prishtinë, 2 gusht - Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), në vazhdën e aktiviteteve të saj, ka ekzekutuar vendimet për shpërndarjen e fondeve të 20 %-shit të dedikuara për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore.
Pas vendimeve të plotfuqishme nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, Agjencia ka përgatitur dokumentacionin për shpërndarjen e fondeve të 20%-shit për punëtorët e kualifikueshëm edhe për 42 ndërmarrje shoqërore.
Shuma e fondeve që do të shpërndahen kësaj radhe është 2,936,825 euro, kurse nga kjo shpërndarje do të përfitojnë një numër prej 5.720 punëtorë.
Transferi i këtyre fondeve do të bëhet në llogarinë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), në pajtim me Rregulloren 2003/13 (me ndryshime).
Në total, Agjencia deri më tani ka shpërndarë mbi 108 milionë uro për rreth 44 mijë punëtorë dhe ish punëtorë të NSh-ve, kurse vetëm gjatë vitit 2016 Agjencia ka arritur që të shpërndajë shumën prej 4,193.672 euro.
Në ndërkohë, Agjencia është në proces të përgatitjes së dokumentacionit për shpërndarjen e fondeve të 20% për punëtorët e kualifikueshëm edhe për disa NSh tjera, për çka punëtorët e këtyre NSh-ve dhe opinioni i gjerë do të informohen me kohë.