AKP shpërndan 20% për punëtorët e 14 ndërmarrjeve shoqërore
Prishtinë, 19 gusht - Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), në vazhdën e aktiviteteve të saj, ka ekzekutuar vendimin për shpërndarjen e fondeve të 20 % të dedikuara për punëtorët e kualifikueshëm të ndërmarrjeve shoqërore.
Pas vendimeve të plotfuqishme nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, Agjencia ka përgatitur dokumentacionin për shpërndarjen e fondeve të 20%-shit për punëtorët e kualifikueshëm edhe për 14 ndërmarrje shoqërore.
Shuma e fondeve që do të shpërndahen kësaj radhe është 132,549 uro dhe nga kjo shpërndarje do të përfitojnë një numër prej 1.144 punëtorëve.
Transferi i këtyre fondeve për disa nga këto ndërmarrje do të bëhet në llogarinë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), në pajtim me Rregulloren 2003/13 (me ndryshime).
Deri më tani Agjencia ka shpërndarë mbi 108 milionë uro për mbi 44 mijë punëtorë dhe ish punëtorë të NSh-ve. Në ndërkohë, Agjencia është në proces të përgatitjes së dokumentacionit për shpërndarjen e fondeve të 20% për punëtorët e kualifikueshëm edhe për disa NSh tjera, për çka punëtorët e këtyre NSh-ve dhe opinioni i gjerë do të informohen me kohë.