AKP shkelëse e të drejtave të njeriut të të punësuarve në Pallatin e Rinisë!
Prishtinë, 8 tetor - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka vlerësuar se me vendim të Kuvendit të Kosovës, Pallati i Rinisë ka kaluar në pronësi të Komunës së Prishtinës nga Agjencia Kosovare e Privatizimit e cila e kishte çuar në likuidim këtë ndërmarrje. Në një marrëveshje të nënshkruar, Komuna e Prishtinëa, merr pronësi mbi Pallatin e Rinisë i merr mbi vete edhe borxhet të cilat vetëm për muajin gusht 2018 janë në vlerë përafërsisht 50 000 euro për ofruesit e shërbimeve.
Disa përfaqësues të punëtorëve të Pallatit të Rinisë kanë vizituar zyren e KMDLNj – së për të shprehur pakënaqësinë dhe shqetësimin se nuk iu janë paguar pagat për dy muaj pasiqë AKP nuk e ndjen detyrim për faktin se nuk e ka nën menaxhim këtë aset dhe se ky detyrim, me nënshkrimin e marrëveshjes me Komunën e Prishtinës për transferimin e pronësisë e cila i pranon borxhet, i takon kësaj komune.
Për KMDLNj – në nuk është me rëndësi ndërrimi i adresave të përgjegjësisë për shlyerjen e pagave për shërbimet e ofruara për punëtorët e Pallatit të Rinisë por është me rëndësi dhe detyrim ligjor që punëtorët të marrin pagat e pashlyera, në të kundërtën kemi të bëjmë me shkelje të rëndë të drejtave të punëtorëve si dhe familjeve të tyre shkaku se në shumtën e rasteve këta të punësuar janë mbajtës të familjeve.
Në kushte të një mjedisi të rëndë socio – ekonomik ku shumica e të punësuarve bëjnë përpjekje për mbijetesë për shkak të pagave të ulta t’ua privosh të drejtën e pagës/kompensimit për shërbimet e ofruara paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe KMDLNj kërkon nga institucionet përgjegjëse të ndërmarrin veprime të menjëhershme në dobi të punëtorëve, drejtat e të cilëve janë të obliguar t’i mbrojnë me ligj.
KMDLNj përkrah të drejtat e punëtorëve të Pallatit të Rinisë në Prishtinë për t’u kompensuar për shërbimet e ofruara e që janë vonuar deri më tani.