AKP: Privatizimi nuk pengohet nga deklaratat boshe
Prishtinë, 22 gusht- Agjencia Kosovare e Privatizimit, vazhdon punën e saj dhe nuk pengohet nga deklaratat boshe politike, ka theksuar zëdhënsja e AKP-së, Arta Gosalci, duke iu kundërpërgjigjur deklaratës se Drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese serbe kërkesën për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e privatizimit në tërë territorin e Kosovës që nga viti 1999.
AKP ka ekskluzivitetin e privatizimit të pronës shoqërore në Kosovë, në bazë të kushtetutës dhe ligjit dhe ka obligim ligjor dhe kushtetues privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore të vendit tonë edhe jashtë territorit të Kosovës, ka theksuar ajo.
Gosalci ka deklaruar se Agjencia Kosovare e Privatizimit, ka shtrirje gjithëpërfshirëse në tërë territorin e Kosovës. Gjithashtu ka të hapura edhe 3 zyra satelitore: Leposaviq, Shtërpcë dhe Graçanicë.
E vërteta është se autoriteti i AKP-së njihet nga të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe ata të komunitetit serb, të cilët jo vetëm se janë pjesëtarë të stafit të Agjencisë por edhe blerës, ka thënë Gosalci për Radion Evropa e Lirë.