AKP ndanë 1.5 milionë euro për 1752 punëtorë të 10 NSH-ve
Prishtinë, 11 gusht - Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) shpërndan shumën prej 1,525,651 euro për 1752 punëtorë të 10 ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara më parë.
Në vazhdën e përshpejtimit të shpërndarjes së 20%-it për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, sot është finalizuar dokumentacioni i nevojshëm për shpërndarjen e pjesshme të fondeve të 20%-it edhe për këto 10 Ndërmarrje Shoqërore:
1. NSh Pashtriku në Prishtinë,
2. Kooperativa Bujqësore në Talinovc Ferizaj,
3. NSh Tregtia në Ferizaj,
4. NSh Morava e Epërme në Viti Gjilan,
5. NSh Fabrika e vajit në Ferizaj,
6. NSh Elan në Vushtrri,
7. NSh Magjistrala në Prishtinë,
8. NSh Fabrika për prodhimin e kërpudhave dhe kompostit në Klinë,
9. NSh Komuna në Prizren dhe
10.NSh Klina në Klinë
Shuma e fondeve që do të shpërndahet për këto 10 NSh është 1,525,651 euro (një milion e pesëqind e njëzet e pesë mi e gjashtëqind e pesë dhjet e një euro) nga e cila shpërndarje do të përfitojnë edhe 1752 punëtorë të këtyre ndërmarrjeve shoqërore të cilat në këtë fazë i plotësojnë kushtet dhe kriteret e parapara për të marrë një pjesë të 20% kurse në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës (OVGjSK) për këto ndërmarrje shoqërore janë edhe 159 ankesa të pa shqyrtuara.
Pjesën e mbetur të 20%-it punëtorët e 10 Ndërmarrjeve shoqërore të lartë përmendura do ta marrin pasi që Oda e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës merr vendimin përfundimtar lidhur me këto ankesa.
Shpërndarja e kësaj shume dëshmon përkushtimin e Bordit të Drejtorëve dhe menaxhmentit të AKP-së për të përshpejtuar këtë proces dhe për të përfunduar listat e mbetura të pashpërndara nga e periudha e kaluar, në përputhje me vendimin e Bordit të Drejtorëve për shpërndarje të pjesshme të miratuar në fillim të vitit 2010.
AKP rikujton punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore të cilat janë privatizuar, se është e përkushtuar për shpërndarjen sa më të shpejtë të mjeteve të 20%-it dhe shpërndarja e këtyre mjeteve është një ndër prioritetet kryesore të AKP-së.
Shuma e përgjithshme e 20 për qind-it të shpërndarë deri më tani ka arritur shifrën prej: 43.265.902 euro nga të cilat 15.657.120 euro gjatë kohës së AKM-së ndërsa 27.608.782 euro gjatë kohës së Agjencionit Kosovar të Privatizimit.