05 Maj 2024

AKP merr “Grand”-in nën administrim, pronari kundërshton

Prishtinë, 7 gusht - Ashtu siç ishte paralajmëruar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), të hënën AKP-ja ka marrë nën administrim “Grand Hotel”-in, i cili ishte privatizuar në vitin 2006 me metodën spin-off special.

Zyrtarë të AKP-së kanë deklaruar se, pas vendimit të bordit të drejtorëve për tërheqje të aksioneve në “Grand Hotel”-in si pasojë e mospërmbushjes së zotimeve të spin-off-it special, bordi i drejtorëve në takimin e fundit të mbajtur ka vendosur kontroll të drejtpërdrejtë në këtë ndërmarrje sipas nenit 6 të Ligjit të AKP-së, që nënkupton ruajtjen e aseteve e llogarive bankare dhe veprimtarisë së ndërmarrjes.

Kurse pronari i “Grand”-it, Zilqif Berisha, ka bërë të ditur se mbi 20 milionë euro i ka investuar në këtë hotel.

“Në vend se të më ndihmojnë si shtet, që nga fillimi më kanë penguar në investime. Çdo ditë më kanë bërë shantazhe jo do ta marrim sot, jo nesër, plus kriza globale që na kapi edhe neve. Pas gjitha këtyre pengesave unë kam filluar të investoj, por më kanë ndërprerë me anë të policisë. Sot me polici kanë ardhur ma kanë marrë”, ka deklaruar ai.

Ai është shprehur i bindur se do ta fitojë këtë rast me ligj. “Unë kam kërkuar të ulemi të bisedojmë fillimisht, por këta tinëz kanë ardhur e kanë uzurpuar këtë pronë time. Nuk më kanë njoftuar se do të ma uzurpojnë në këtë mënyrë. Nuk di pse AKP po i frikësohet ligjit.

As në Somali nuk bëhet kështu. Derisa të vendosë gjykata unë jam pronar i ‘Grand Hotel’-it. Nuk lëshoj pe”, ka thënë ai.
Veprimin e AKP-së, që ka bërë të merret hoteli, avokati i pronarit të “Grand”-it, Zilqif Berishës, Alexander Borg Olivier, e ka kundërshtuar, duke e konsideruar të njëanshëm dhe të kundërligjshëm.

“AKP-ja nuk ka pritur vendimin përfundimtar të Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës”, ka thënë ai. “Është shumë e rëndësishme për Kosovën që vendimet e kësaj natyre të merren në pajtim të plotë me sundimin e ligjit dhe respektim të plotë të gjykatave. Çdo veprim që nuk është në pajtim me sundimin e ligjit do të ketë pasoja serioze në përpjekjet për t’i tërhequr investimet në Kosovë”, ka deklaruar Borg Olivier.

Kurse zyrtarja për informim në AKP, Arta Gosalci, ka deklaruar se agjencia është duke i përfunduar procedurat për jetësimin e vendimit dhe do t’i përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë për ta marrë nën administrim

“Grand Hotel”-in. Për këtë qëllim përfaqësuesit e agjencisë kanë mbajtur takime edhe me Sindikatën e Punëtorëve në “Grand Hotel”. “Agjencia, si administratore e ndërmarrjes së re ‘Hotel Grand’, ka shpallur konkurs për pozitën menaxher i operacioneve, i cili do ta udhëheqë veprimtarinë në hotel dhe do të jetë nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë të AKP-së”, ka thënë zyrtarja për informim në AKP, Arta Gosalci.


Ndryshe, ndërmarrja shoqërore “Grand Hotel” ishte privatizuar në vitin 2006 me metodën spin-off special, për 8 milionë euro. Blerësi ishte zotuar se do të bëjë 20 milionë euro investime dhe të punësojë mbi 500 punëtorë. Mirëpo, blerësi ka dështuar t’i realizojë investimet për më shumë se gjashtë vjet, ndërkohë që bordi drejtues i AKP-së kishte marrë vendim për tërheqjen e aksioneve pas disa shtyrjeve që ishin bërë në dy vjetët e fundit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)