04 Maj 2024

AKP kundërshton likuidimin e Trepçës

Prishtinë, 31 mars - Agjencia Kosovare e Privatizmit ka kundërshtuar sot vendimin e Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme që Kompleksi industrial “Trepca” ta emëroj një administrator, i cili do ta përgatiste ndërmarrjen për likuidim.

Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, theksoi se Kompleksi Industrial `Trepça`, nuk është shfrytëzuar asnjëherë prej shqiptarëve. Këto konstatime ai i ka bërë gjatë një takimi me media pas mbledhjes së bordit të AKP-së.

Asanaj ka kërkuar nga Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme shtyerje të emërimit të administratorit të ri për “Trepcën”, duke e arsyetuar këtë me afatin e shkurtër të përcaktuar nga gjykata. Likudimi i këtij kompleksi industrial është kundërshtuar edhe nga anëtari tjetër i bordit të AKP-së, Bahri Shabani.

Asanaj, për gjigantin “Trepça”, mendon që deri më tash kjo ndërmarrje asnjëherë nuk ka qenë në duar të shqiptarëve dhe si duket as tash nuk do të jetë.

Asanaj në një konferencë për media të enjten, pas mbledhjes së Bordit të AKP-së, ka folur për aktivitetet e Bordit për tremujorin e fundit.

Lidhur me kreditorët në gjigantin “Trepça”, Asanaj ka thënë se 7 ndërmarrje të cilat janë asete jo themelore të “Trepçës” janë tërheqë nga moratoriumi dhe do të shkojnë në privatizim, ndërsa në momentin kur janë liruar 7 ndërmarrjet nga moratoriumi Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme, ka që 5 vjet e gjysmë nuk ka zgjedhur administratorin dhe as nuk i ka liruar kreditorët.

Kreu i Bordit duke folur për historikun e “Trepçës”, ka thënë se ajo është zbuluar diku në shekullin 15 dhe që nga atëherë nuk ka qenë asnjëherë në duar të shqiptarëve.

“Mund t’ju them se ne presim edhe muajit të ardhshëm që Oda e Veçantë të aprovojë kërkesën tonë, por nëse nuk e aprovon unë lirisht mund t’ju them se si duket “Trepça” kurrë nuk ka qenë e shqiptarëve dhe nuk do të lejojnë që të jetë, nëse kjo ndodh”, ka theksuar Asanaj.

Ndërsa lidhur me kontratat e spin off speciale që janë nënshkruar më herët, Asanaj ato kontrata i ka quajtur kontrata të rrobaqepësve. Ndërsa ka shtuar se Komisioni Evropian pritet të ofrojë ndihmë për interpretimin e ligjit anglez.
 
“Unë gjithë e kam thënë se kontratat e spin off speciale kanë qenë kontrata të rrobaqepësve dhe njëherësh që ne jemi në shqyrtim që të gjejmë dikë për interpretim të ligjit anglez, janë paraqitur disa kompani, por ne deri më tani nuk kemi nënshkruar asnjë kontratë me asnjë kompani dhe besojmë prej premtimit të Komisionit Evropian me bazë të asistencës teknike që na ofrojnë do të na ofrojnë edhe një jurist i kualifikuar për dhënien e opinionit ligjor të ligjit anglez të kontratave të spin off speciale”, ka thënë ai.

Bordi i AKP-së gjatë mbledhjes së sotme ka aprovuar 10 lista përfundimtare të punëtorëve dhe menaxhmenti autorizohet që të bëjë shpërndarjen e përkohshme të 20 përqindëshit për këto ndërmarrje.

Në tremujorin e tretë është përshpejtuar ndarja e 20 përqindëshit për 38 ndërmarrje shoqërore në shumë totale prej 4 milionë euro, prej të cilave kanë përfituar rreth 4 mijë punëtorë, kurse janë aprovuar për shpërndarje edhe 18 lista të tjera të punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore.

Për Llamkosin, Bordi kërkon nga menaxhmenti që të kryejë hulumtime të mëtutjeshme mbi ligjshmërinë, kualifikimin, qëndrueshmërinë financiare dhe hulumtime tjera për të marrë vendimin e duhur.

Po ashtu, është arritur nënshkrimi i kontratave të shitjes, ku janë përmbyllur 23 kontrata, 16 me likuidim, 6 me spin off.

Deri më tani janë grumbulluar 544 milionë euro nga privatizimi, 513 milionë euro, nga likuidimi me shitje të aseteve 31 milionë. Nga fondet e mirëbesimit për momentin në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) janë të deponuara 470 milionë, ndërsa janë rritur për 14 herë normat e interesit.

AKP ka trashëguar nga agjencia e mëparshme 25 ndërmarrje të privatizuara me spin off special. Deri më tani janë liruar 13 ndërmarrje si rrjedhojë e përmbushjes së zotimeve të marrëveshjes

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)