AKP ka mbledhur 584 milionë euro në fondin e privatizimit
Prishtinë, 16 dhjetor - Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në mbledhjen e fundit për këtë vit ka vendosur që tu japë afat pesë ndërmarrjeve të privatizuara me spin-off special deri më 15 mars të vitit të ardhshëm që të përmirësojnë performancën e tyre, në të kundërtën ato rrezikojnë të kthehen në ri-tenderim.
Ndërmarrjet të cilat rrezikojnë të kthehen në AKP, e të cilat kanë shkelur kushtet e marrëveshjeve dhe zotimeve, janë Miniera e Goleshit, Ndërmarrja e Re XIM Strezovc, ndërmarrja e Re IDGJ Tobaco, Hotel Grand dhe Agrokosova Holding.
Kryetari i Bordit të AKP-së Dino Asanaj, ka thënë se në mbledhjen e bordit të AKP-së është vendosur që këtyre pesë ndërmarrjeve tiu jepet afat për plotësimin e kushteve deri më 15 mars.
"AKP ka trashëguar nga Agjencia e mëparshme 25 ndërmarrje të privatizuara me spin-off special. Deri më tani AKP i ka liruar 16 ndërmarrje si rrjedhojë e përmbushjes së zotimeve sipas marrëveshjes. Gjatë këtij viti janë liruar 4 ndërmarrje: Mulliri i Miellit Fushë Kosovë; M&Sillosi; Modeli dhe KosovaTex", ka thënë Asanaj.
Ndërsa sipas tij janë edhe 8 ndërmarrje që janë në procesin e përmbushjes së zotimeve, prej tyre 5 Ndërmarrje janë në shkelje më të rënda të kushteve të marrëveshjes së zotimeve dhe u janë shqiptuar gjoba mbi 30 milionë euro.
Me qëllim të mbrojtjes dhe ruajtjes së pasurisë së ndërmarrjeve, gjatë këtij viti AKP sipas Asanaj ka përfshirë nën administrim direkt 3 ndërmarrje: Ereniku-Industria, Gjakovë; pastaj Enti Medecinal për Terapi Fizikale dhe Rehabilitim - Banjë afër Pejës dhe së fundi NSh Sharrprodhimin.
Po kaq NSh AKP i ka liruar nga administrimi direkt dhe i kemi përfshirë në privatizim. Aktualisht nën administrim direkt janë 9 NSh.
Po ashtu, Dino Asanaj paraqiti të arritura e AKP-së gjatë këtij viti, ndër të cilat përmendi ri-tenderimin e ndërmarrjes Llamkos me një çmim prej 6.5 milionë euro dhe tërheqjen e 16 mijë e 800 investitorëve për pjesëmarrje në procesin e privatizimit.
"Gjatë këtij viti kemi mbajtur 6 valë të privatizimit të NSh-ve, një Valë më shumë se sa parashikimet me plan biznesi për këtë vit, që është tregues suksesi i AKP-së në përshpejtimin e procesit të privatizimit", ka theksuar Asanaj.
Përveç kësaj ai ka theksuar se ka mbajtur 5 valë të shitjeve të aseteve me likuidim, ku përfshihet edhe përmbylljen me sukses e ritenderimit të Llamkos-it me çmim 6.5 milionë euro.
Tani më blerësi i ri ka filluar prodhimin në Fabrikë, punëtorët kanë zënë vendet e tyre të punës që do të ndihmon ekonominë e Vushtrisë dhe të Kosovës.
Nga privatizimet dhe shitjet e aseteve për këtë vit janë mbledhur 69 milionë euro.
Asanaj ka bërë të ditur se deri tani numri i NSh-ve që janë privatizuar është 306, ndërsa janë krijuar 670 Ndërmarrjeve të Reja, nderkaq janë mbledhur në total mbi 584 milionë euro, nga privatizimi 555 milionë euro, ndërsa nga shitja e aseteve me likuidim 48 milionë euro.
Një sukses domethënës Agjencia sipas Asanajt ka shënuar edhe me tërheqjen e investitorëve për pjesëmarrje në procesin e privatizimit. Të dhënat tregojnë se deri më tani procesi i privatizimit ka tërheqë mbi 16.800 investitorë.
Sa i përket shpërndarjes së 20 %, deri më tani kemi aprovuar 227 lista të punëtorëve; kemi shpërndarë 49 milionë euro, prej të cilave vetëm për 2011 kemi shpërndarë rreth 15 milionë euro.
"Në proces të shpërndarjes i kemi edhe mbi 4 milionë euro për 14 NSh. Gjatë takimit të sotëm aprovuam edhe 3 lista përfundimtare të punëtorëve dhe menaxhmenti autorizohet që të bëjë shpërndarjen e përkohshme të 20 % për këto ndërmarrje: NSh Stacioni i Veterinës-Kamenicë; KB Malisheva-Malishevë dhe NSh Elmont-Pejë. Në total kanë përfituar mbi 28.000 punëtorë."