AKP i shet Llamkosin kompanisë angleze Coresteel
Prishtinë, 26 gusht - Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka nënshkruar marrëveshjen e shit-blerjes me blerësin e ndërmarrjes Newco Llamkos Steel LLC, kompaninë angleze Coresteel.
Marrëveshja e shit-blerjes, që ka vlerën 6.5 milionë euro, u nënshkrua pas kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm, si dhe pas kryerjes së pagesës nga ana e blerësit në shumën 900 mijë euro për shlyerje të borxhit për hipotekë dhe peng ndaj bankës Raiffeisen Bank në emër të ndërmarrjes Llamkos Steel, gjë e cila ka qenë një ndër kushtet e vendosura në tender.
Me marrëveshjen e nënshkruar në mes të AKP-së dhe blerësit, ky i fundit është zotuar se brenda një periudhe 6 mujore të punësojë në ndërmarrje 437 punëtorët ekzistues sipas biznes planit të ofruar.
Njëkohësish, blerësi është zotuar se do të vazhdojë aktivitetin e njëjtë biznesor për një periudhë së paku 5 vjeçare, si dhe është zotuar që të mos zhvendosë makineritë/asetet nga hapësirat e ndërmarrjes.
Përsa i përket investimeve, blerësi, përmes kontratës së nënshkruar, ka marrë obligime të investojë në ndërmarrje një shumë të konsiderueshme të kapitalit punues dhe investues.
Nënshkrimi i marrëveshjes së shit-blerjes me blerësin i mundëson atij të fillojë me aktivitetet dhe investimet e premtuara në ndërmarrje, gjë që ka një rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik si dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, në veçanti për Komunën e Vushtrrisë, e cila do të ketë përfitime të drejtpërdrejta nga investimet e blerësit, si dhe në punësimin e qytetarëve të saj.
Finalizimi me sukses i shitjes së Newco Llamkos Steel LLC është edhe një tregues se Agjencia Kosovare e Privatizimit në mënyrë të suksesshme po vazhdon të kryejë misionin e vet për tërheqjen e investimeve direkte të jashtme në vendin tonë.