AKP finalizoi listën e 20 % për punëtorët e Ferronikelit
Prishtinë, 19 dhjetor - Agjencia Kosovare e Privatizimit njofton se ka finalizuar listën e punëtorëve për 20% për shpërndarje të pjesshme për Ndërmarrjen Shoqërore, Ferronikeli, nga Drenasi, e cila është privatizuar me Spin-Off Special.
Shuma e përgjithshme e 20% që u takon punëtorëve është 6,110.874 euro, nga të cilat 75%, apo 4,583.155 euro do ti shpërndahen punëtorëve tani, bazuar në strategjinë për shpërndarje të pjesshme të 20 %, të miratuar nga Bordi i Drejtorëve të AKP-së.
Pjesa e mbetur e fondeve (25% e shumës së përgjithshme që u takojnë punëtorëve) do të shpërndahet më vonë, pasi të përfundoj procedura ankimore nga Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës dhe pasi të aprovohet kjo listë si listë finale.
Në listën e punëtorëve që përfitojnë nga shpërndarja e këtyre mjeteve janë 2010 persona. Në afatin e paraparë ligjor për paraqitjen e ankesave në Odën e Veçantë deri me datë 27 nëntor 2010, në këtë Gjykatë janë dorëzuar 74 ankesa, kurse, sipas shënimeve të ofruara nga Gjykata, nuk ka ankesa të punëtorëve kundër njëri-tjetrit (person kundër personit).
Shuma totale në dispozicion për shpërndarje tani (shpërndarje e pjesshme) është 4,420,414 uro, kurse shuma që i takon çdo punëtori është 2,199.21 uro, ose 72,33% e shumës së tërësishme për shpërndarje.
Kjo është lista më e madhe (me më së shumti emra në listë, me 2010 punëtorë) nga të gjitha shpërndarjet e deritanishme që ka bërë Agjencia e Privatizimit që nga themelimi i saj. Po ashtu, kjo paraqet edhe vlerën më të madhe të shpërndarjes së 20 % për punëtorët që nga themelimi i Agjencisë.
Ndërmarrja Shoqërore Ferronikeli është privatizuar me metodën e Spin-Off Special në muajin prill të vitit 2006.