AKP deri me tash mbledh 643.5 milionë euro nga privatizimet
Prishtinë, 27 shtator - Agjencia Kosovare e Privatizimit ka vazhduar me përmbushjen e plotë të përgjegjësive të saj dhe gjatë tre muajve të fundit ka pasur angazhime të shumta në drejtim të shtyrjes përpara të procesit të privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore.
Agjencia ka shënuar angazhim të shtuar në procesin e likuidimit, përgatitjen e listave të punëtorëve dhe shpërndarjen e 20%, në privatizimin e ndërmarrjeve dhe aseteve të tyre, ndërkaq ka vazhduar me përmbushjen e afateve ligjore sa i përket proceseve që po zhvillohen në ndërmarrjen Trepça.
Gjatë këtij tremujori AKP ka përmbyllur dy valë të privatizimit të NSh-ve, atë të Shitjes së Aseteve me Likuidim nr. 20, si dhe Shitjen e Aseteve me Likuidim nr. 21, ndërsa ka shpallur valën 59 me gjithsej 42 ndërmarrje te reja për privatizim dhe pritet interesim i shtuar i investitorëve vendës dhe të jashtëm për këto ndërmarrje atraktive.
Nga privatizimet dhe shitjet e aseteve deri më tani janë mbledhur në total mbi 643.5 milionë euro. Prej tyre nga privatizimi rreth 571.151 milionë Euro, ndërsa nga shitja e aseteve me likuidim rreth 72.380 milionë Euro. Këto fonde janë të deponuara në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Një nga vendimet më të rëndësishme sa i përket këtyre fondeve në mirëbesim është ai për investimin e një pjese të mjeteve në bankat komerciale, për çka Bordi në mbledhjen e shkuar lejoi 10 % të fondeve të përgjithshme të investohen në bankat komerciale në përputhje ligjin dhe kriteret e hartuara tashmë.
Agjencia ka kontaktuar zyrtarisht me bankat që operojnë në Kosovë dhe ky proces është në fazën përfundimtare.
E arritur tjetër e rëndësishme gjatë këtij tremujori është shënuar me vendimin e Bordit për amandamentimin e Strategjisë për shpërndarje të pjesshme të shumës 20 % për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara që janë të përfshirë në listën e AKP-së.
Me ndryshimet e miratuara në mënyrë unanime në Bordin e Drejtorëve do të ketë shpërndarje të pjesshme të 20 % deri 90 %, apo në fondin e sigurisë do të ruhet 10 % e shumës së përgjithshme të 20 % në rast se me vendimet e formës së prerë lidhur me ankesat dhe kundërshtimet e mundshme ndaj listave aktuale të punëtorëve të NSh-ve Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme e Kosovës shton punëtorë në listat e punëtorëve.
Ndryshimet e miratuara janë të rëndësishme jo vetëm për procesin e ardhshëm të shpërndarjes së 20 %, por janë me efekt retroaktiv edhe tek shpërndarjet e pjesshme që janë bërë deri më tani nga Agjencia që nga muaji shkurt 2010.
Për sa i përket përmbylljes së privatizimeve, AKP ka shënuar sukses dhe gjatë këtij tremujori janë nënshkruar mbi 55 kontrata me blerësit, 12 kontrata janë të nënshkruara nga privatizimi me metodën Spin-Off, kurse 43 nga shitjet e aseteve me likuidim. Në total numri i kontratave të nënshkruara ka arritur në shifrën 1085.
Vetëm në periudhën qershor-shtator 2013, Agjencia ka fut në procesin e likuidimit 99 ndërmarrje shoqërore, që paraqet një progres të madh përsa i përket përfshirjes së ndërmarrjeve në procesin e likuidimit.
Tani në likuidim janë gjithsej 278 ndërmarrje shoqërore. Likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore është intensifikuar me angazhimin e Ofruesit të Shërbimeve Profesionale si dhe me funksionalizimin e plotë të stafit në të gjitha zyrat regjionale dhe satelitore të AKP-së.
Një shtytje të veçantë ka dhënë themelimi i Komitetit Drejtues të Likuidimit gjatë këtij tremujori, i cili në masë të madhe ka ndihmuar këtë proces të rëndësishëm për likuidimin dhe shpërndarjen e parave nga privatizimi.
Agjencia ka aprovuar gjatë këtij tremujori edhe 33 lista të punëtorëve të NSh-ve dhe kanë përfituar 4496 punëtorë. Deri më tani në total Agjencia ka shpërndarë mbi 77 milionë euro nga pjesa e 20 % për rreth 36 mijë e 300 (ish) punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara.
Agjencia është e gatshme të bëjë shpërndarjet e tërësishme të 20 % për punëtorët nëse pranon vendimet përfundimtare nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës.
AKP, si administratore e ndërmarrjes shoqërore Trepça, në kuadër të përgjegjësive të saj ka shënuar angazhime shtesë me qëllim të arritjes së afateve ligjore sipas ligjeve në fuqi.
Bordi ka miratuar termat e referencës për tenderin për angazhimin e Ofruesve të Shërbimeve Profesionale dhe ka udhëzuar menaxhmentin e Agjencisë që të vazhdoj me procedurat ligjore për angazhimin e këtyre Ofruesve, të nevojshëm për procesin e riorganizimit të Trepçës, sipas ligjit për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë të Tyre si dhe vendimeve të Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Ndërkohë, Trepça ka vazhduar me punën e saj të zakonshme të prodhimit dhe shitjes së koncentratit, si dhe koordinimit më të mirë të punëve me AKP-në.
Gjithashtu, është rritur efikasiteti i Odës së Veçantë lidhur me vendimet e nevojshme për mbarëvajtjen e punës në Trepçë si dhe është rritur bashkërendimi dhe bashkëpunimi në mes të AKP-së dhe Odës së Veçantë.