AKP deri me tani ka privatizuar 406 ndërmarrje shoqërore
Prishtinë, 24 dhjetor - Viti 2013 ka qenë me mjaft angazhime për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe me të arritura të rëndësishme për zhvillimin e procesit të privatizimit në Kosovë.
Nga rreth 600 ndërmarrje shoqërore (N.Sh.) sa figurojnë të jenë në pronësi shoqërore, Agjencia deri më tani ka arritur të privatizoj shumicën prej tyre, duke krijuar nga ndërmarrjet shoqërore një apo më shumë ndërmarrje të reja private, përmes dy metodave kryesore: metoda e Spin-Off-it dhe metoda e Likuidimit apo shitjes se aseteve.
Gjatë këtij viti Agjencia ka vazhduar aktivitetin e saj të plotë nga muaji Mars 2013 pas emërimit të bordit në përbërje të plotë pas një periudhe 9 mujore mungese të bordit.
Megjithëse mungesa e anëtareve te Bordit qe një kohë të gjatë përfshirë këtu edhe pozitën e Kryesuesit dhe të një drejtori ndërkombëtar prapëseprapë kanë ndikuar që të vështirësohet funksioni i agjencisë veçanërisht gjatë marrjes së vendimeve për pagesën e 20% dhe në përmbylljen e likuidimeve.
Agjencia gjatë këtij viti ka mbajtur 5 valë të shitjeve të aseteve dhe 3 valë të privatizimit, ndërsa në total deri më tani ka mbajtur 60 valë të privatizimit dhe 23 valë të shitjeve të aseteve të N.Sh.-ve në likuidim, ka përfshirë në privatizim 406 N.Sh, prej të cilave janë krijuar dhe tenderuar 834 ndërmarrje të reja.
Nga këto privatizime deri më tani janë grumbulluar në fondet e mirëbesimit rreth 600 milionë euro dhe këto fonde janë të deponuara në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Privatizimi si metodë përmbyllet me shpalljen e valës 60 që do të ndodh gjate vitit 2014, ndërsa mbetet të vazhdohet me shitjen e aseteve të N.Sh.-ve në likuidim duke përdorur edhe metoda të reja inovative të shitjeve.
Nga të gjithë tenderët e zhvilluar në 2013, janë pranuar në total 773 oferta:
Likuidim 555
Privatizim 218
Ndërkaq vlera e ofertave më të larta, të aprovuara nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në total është 25,773,827 Euro
Likuidim 13,141,030
Privatizim 12,632,797
Numri i kontratave të nënshkruara në 2013 në total është 136, ndërkaq vlera e tërësishme e tyre kap vlerën prej 35,235,270 Euro.
Që nga bartja për herë të parë e rreth 30 milionë euro mjete të mbetura nga procesi i likuidimit të 65 N.Sh.-ve në buxhetin e Republikës së Kosovës, që ka ndodhur në vitin 2012, shpërndarja e fondeve për kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore dhe teprica për buxhetin e Kosovës mbetet synim primar për Agjencinë.
Edhe pse ka akoma punë për tu bërë në realizimin e këtij mandati ligjor, procesi i likuidimit dhe i shuarjes juridike të N.Sh.-ve tashmë është përmirësuar dhe janë eliminuar procedurat e gjata ligjore të së kaluarës.
Agjencia ka bërë gati raportet për shpërndarjen e fondeve për 138 N.Sh. në likuidim dhe së shpejti pritet të bëhet shpërndarja e 108 milionë eurove, ku rreth 23 milionë euro do të shkojnë për kreditorë, ndërsa rreth 85 milionë euro si tepricë në Buxhetin e shtetit.
Agjencia po punon në përfundimin e procedurave ligjore edhe për 32 ndërmarrje të tjera në likuidim, ndërkohë në takimin e fundit të Bordit të Drejtorëve u vendos të përfshihen në likuidim edhe rreth 50 ndërmarrje të tjera dhe ky numër do të shtohet muajve në vijim.
Ky proces i përfundimit të likuidimeve dhe bartjes së fondeve të mbetura në Buxhetin e Kosovës paraqet fillimin e kurorëzimit të procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë.
Numri i vendimeve të marra dhe të dorëzuara tek pretenduesit nga Autoriteti i Likuidimit, deri më tani ka arritur numrin e 39,500 vendimeve .
Derisa për 143 Ndërmarrje Shoqërore është përmbyllur procesi i shqyrtimit të ankesave.
Ndërsa numri I përgjithshëm I NSH-ve në procedurë të Likuidimit është 338 nga të cilat 10 pritet të Likuidohen në vazhdim nga AKP-ja (ska ankesa/ ska asete), ndërsa për 4 Ndërmarrje ka përfunduar procesi i Likuidimit dhe 6 janë në procedurë të përmbylljes.
Për vitin 2014 parashihet që të filloj Likuidimi për shumicën e mbetur të pothuajse 229 NSH-ve të aprovuara nga Bordi i AKP-së.
Bazuar në Ligjin për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së Tyre, AKP, si administratore e ndërmarrjeve shoqërore e ka përfshirë kompleksin industrial Trepça në një proces riorganizimi të tërësishëm.
Procesi i mbledhjes së kërkesave për Trepçën do të përfundoj në fillim të vitit 2014 dhe se menjëherë pas emërimit të Ofruesit të Shërbimeve Profesionale (OSHP-së) puna në lidhje me vlerësimin e kërkesave mund të filloj , a po ashtu edhe shqyrtimi i hollësishëm i operacioneve dhe të ardhmes së Trepçës me qëllim që të përgatiten opsionet e ristrukturimit.
Agjencia do të jetë e përkushtuar dhe e kujdesshme gjatë këtij procesi, në gjetjen e planit më të mirë të mundshëm për riorganizim në bashkëpunim me institucionet e tjera të vendit, ndërkaq vendimet finale për Trepçën do të merren në koordinim të plotë me institucionet më të larta të vendit, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.
Zgjidhja e pagesave për 20% si dhe pagesave në likuidim është një nga prioritetet kryesore për vitin 2014 ,
Agjencia ka shtuar angazhimin në nënshkrimin e kontratave me blerësit, duke evituar pritjet e së kaluarës dhe tani ka arritur shifrën 1127 kontrata, prej tyre kontratat e privatizimit me spin-off special 26, me spin-off të rregullt 708 dhe 393 kontrata me shitje të aseteve përmes likuidimit. Në pritje për nënshkrim janë vetëm një numër i vogël i kontratave, për çka varemi nga Dhoma e Posaçme.
Punëtorët, që në Kosovë janë përfitues të drejtpërdrejt nga shitja e ndërmarrjeve kane vazhduar të marrim pjesën e tyre të 20 % nga çmimi i shitjes dhe deri më tani atyre u janë shpërndarë rreth 80 milionë euro, kurse numri i punëtorëve përfitues është 38 mijë e 535 punëtorë. Derisa, shumat e paguara ndaj kreditoreve vetëm për tri NSH përfshin shumën prej 45,140.19.
Ndërprerja e këtyre pagesave te 20% është bërë për shkak të mungesës së anëtarit të tretë ndërkombëtar. Agjencia vazhdon të përpiqet që të zgjedh këtë situatë e cila kërkon angazhim përtej resurseve administrative të Agjencisë dhe përfshirje të institucioneve vendimmarrëse të Kosovës.
Në ndërkohë, Agjencia pret vendimet e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për të përfunduar edhe me shpërndarjet e pjesës së mbetur nga 20 %.
AKP është e gatshme të bëjë shpërndarjet e plota të 20 % në rast se Dhoma e Posaçme lëshon vendimet e formës së prerë lidhur me ankesat dhe kundërshtimet e mundshme ndaj listave aktuale të punëtorëve të ndërmarrjeve.
Monitorimi i zhvillimit të ndërmarrjeve është pjesë e mandatit të Agjencisë vetëm në rastet e spinof-eve speciale dhe të ndërmarrjeve të privatizuara me kushte.
Deri më tani AKP i ka liruar 17 ndërmarrje si rrjedhojë e përmbushjes së zotimeve sipas marrëveshjes për spin-off special, ndërsa 6 ndërmarrje të tjera janë në procesin e përmbushjes së zotimeve dhe nën monitorimin e Agjencisë.
Përveç këtyre ndërmarrjeve, AKP ka privatizuar edhe 8 ndërmarrje të tjera shoqërore me kushte të veçanta, me qëllim të ruajtjes së veprimtarisë së tyre dhe ekonomisë së rajoneve ku gjenden ato.
Me qëllim të mbrojtjes dhe ruajtjes së pasurisë së ndërmarrjeve, Agjencia gatë këtij viti ka përfshirë nën administrim direkt 1 ndërmarrje, kurse i ka liruar 6 ndërmarrje nga kjo masë.
AKP ka arritur progres përsa i përket shitjes së banesave të ndërmarrjeve shoqërore personave që e kanë pasur të drejtën e shfrytëzimit të tyre.
AKP deri më tani ka vendosur për 57 kërkesa për blerjen e banesave, nga kërkesat e shqyrtuara 38 sosh janë aprovuar për shitje të banesave dhe tashmë janë nënshkruar dhe u janë dorëzuar kontratat palëve.
AKP është në proces të shqyrtimit edhe të 75 kërkesave të tjera për privatizim të banesave dhe ato do të përmbyllen në afatin sa më të shkurtër ligjor.
Në kuadër të obligimeve ligjore, Agjencia gjatë vitit ka dorëzuar me rregull raportet periodike në Kuvendin e Republikës së Kosovës, bazuar në Ligjin e AKP-së.
AKP rithekson nevojën urgjente që të kompletohet Bordi i Drejtorëve, në mënyrë që të mund ta ushtrojë mandatin ligjor në tërësi, në veçanti në shpërndarjen e 20 % për punëtorët dhe përmbylljen e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore.
Procedura e emërimit të Drejtorit Menaxhues të AKP-së është në proces e sipër pasi që mandati i drejtorit menaxhues skadon në fund te muajit Janar 2014 dhe se Bordi është i përkushtuar për një proces profesional, të drejtë, transparent dhe të pavarur.
Viti 2014 duhet të jetë edhe një vit i cili do te shënoj progres substancial në përfundimin e privatizimit dhe likuidimit të NSH-ve në Kosovë, dhe me progres të vendosur në çështjet siç janë shitjet përmes privatizimit, likuidimit dhe Trepçës, dhe se Agjencia shpreson që kjo punë të kryhet brenda tri viteve.
Agjencia mbetet e zotuar në synimet e saj për të përmbushur mandatin ligjor, për të shmangur pengesat dhe për të kontribuar në sforcimin e ekonomisë së Kosovës.