AKP dënon dhunën e ushtruar ndaj stafit të saj
Prishtinë, 11 qershor - Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dënon ashpër dhunën e ushtruar dje ndaj stafit të AKP-së dhe ofertuesve, gjatë ceremonisë publike të hapjes së ofertave për valën e 60 të privatizimit si dhe valës së 26 të shitjeve të aseteve në likuidim.
Të brengosur për sigurinë e stafit, për sigurinë e ofertuesve të tjerë dhe për të parandaluar dëmtimin e konkurrencës publike të procesit, AKP vendosi të shtyj dhe të përsërisë tërë procesin e valës së 60 të privatizimit si dhe të valës së 26 të shitjeve të aseteve përmes likuidimit. Për datën e shpalljes së re të kësaj shitje do të njoftohet opinioni publik së shpejti.
Ftohen të gjitha palët, të cilat kanë çfarëdo pretendimi pronësor apo kreditor që këto çështje ti adresojnë në institucionin relevant, apo në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila gjykatë është e themeluar nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës me mandatin për shqyrtim të çështjeve të ndërlidhura me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
AKP shpreh keqardhje për incidentin e ndodhur dhe falënderon ofertuesit e ndërgjegjshëm, stafin e Agjencisë dhe organet e rendit për përkrahjen e dhënë. Njëherit, AKP e riafirmon përkushtimin për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve ligjore dhe organizative si deri më tani, për mbarëvajtjen e procesit të privatizimit në mënyrë të hapur, konkurrues dhe transparent.