15 Janar 2025

AKP arrin progres me shpërndarje të 20 për qind-shit

Prishtinë, 15 nëntor - Mbi 13 mijë punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore kanë përfituar gjatë këtij viti deri më tani nga shpërndarja e mjeteve të pjesës 20 % nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore.

Për këta punëtorë që i kanë plotësuar kriteret për të pasur statusin e punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore janë shpërndarë pjesërisht mbi 20 milionë euro.

Këto të dhënat paraqesin progres për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, duke pasur parasysh vështirësitë, pengesat dhe ngecjet viteve të shkuara për sa i përket shpërndarjes së mjeteve të 20 % dhe pritjeve të gjata të punëtorëve për ta realizuar të drejtën e tyre të përcaktuar me ligj.

AKP njofton opinionin e gjerë se aktualisht nuk ka lista të punëtorëve në pritje nga periudha e kaluar, përveç ndërmarrjeve që janë privatizuar së fundi për të cilat po ndjeken procedurat e parapara ligjore.

Shuma e përgjithshme e mjeteve të shpërndara deri më tani ka arritur në rreth 67 milionë euro, ndërkaq kanë përfituar gjithsej 33 mijë e 21 punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore.

AKP, që nga viti 2010 realizon shpërndarje të pjesshme të 20 % për punëtorët, në pritje të vendimeve përfundimtare nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës.

AKP është e gatshme të bëjë shpërndarjet e plota të 20 % në rast se Dhoma e Posaçme lëshon vendimet e formës së prerë lidhur me ankesat dhe kundërshtimet e mundshme ndaj listave aktuale të punëtorëve të ndërmarrjeve. 

Sukses të jashtëzakonshëm Agjencia ka shënuar edhe përsa i përket nënshkrimit të kontratave. Me angazhimin e stafit të saj, AKP ka arritur të përshpejtoj gjithë procesin e përmbylljes së kontratave dhe kështu të evitoj pritjet e blerësve për të nënshkruar kontratat me AKP.

Deri më tani Agjencia ka nënshkruar gjithsej 1005 kontrata me blerësit, prej të cilave 708 kontrata të nënshkruara janë nga procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe 297 kontrata nga shitja e aseteve përmes procesit të likuidimit.

Vetëm gjatë këtij viti deri më tani AKP me përkushtim ka arritur t’i nënshkruaj 161 kontrata me blerësit, 64 nga privatizimi dhe 97 nga likuidimi, ndërkaq në pritje për nënshkrim janë vetëm një numër i vogël i kontratave, për çka pengesë paraqitet Dhoma e Posaçme.

AKP rikonfirmon angazhimin e saj maksimal në përputhje me mandatin e saj ligjor për shitjen ose bartjen e ndërmarrjeve dhe/ose aseteve investitorëve privatë‐blerësve, ose likuidimin e tyre, gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.

AKP ushtron funksionet dhe përgjegjësitë që ka në mënyrë plotësisht të pavarur dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)