27 Prill 2025

AKP aprovon procesin tenderues për Trepçën

Prishtinë, 12 prill - Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në mbledhjen e mbajtur dje dhe sot ka aprovuar njëzëri inicimin e procesit tenderues të hapur publik për angazhimin e ofruesve të shërbimeve profesionale për mbështetje të procesit të riorganizimit të ndërmarrjes “Trepça”, e cila është nën administrimin e AKP-së.

Ndërkaq formoi edhe një komision të veçantë me përbërje anëtarë të Bordit dhe Menaxhmentit të Agjencisë për hartimin e termave të referencës për përzgjedhjen e kompanive që do të ofrojnë shërbime profesionale.

Gjatë mbledhjes së Bordit, u diskutua dhe për rrjedhojë u aprovuan edhe një numër i konsiderueshëm i kontratave të qirasë përsa i përket Trepçës, si dhe një numër të qiradhënieve për ndërmarrje të tjera shoqërore, ndërkaq aprovoi edhe kontratën e qiradhënies të Kino ABC1, në Prishtinë për nevojat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Në lidhje me ndërmarrjen e komercializuar “Fapol”, Bordi diskutoi dhe shqyrtoi nivelin e përmbushjes së zotimeve dhe të drejtave të ish koncensionarit, dhe në përputhje me kontratën e qiradhënies në mes Agjencisë dhe komercializuesit vendosi që t’ia njeh atij të drejtën e parablerjes.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka bërë hapa të rëndësishëm në rregullimin e çështjeve pronësore përsa i përket banesave në pronësi shoqërore, dhe në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve në mënyrë unanime miratoi vendimet për shitjen e 91 banesave në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore tek shfrytëzuesit e këtyre banesave të cilët e kanë dëshmuar se e kanë pasur të drejtën e shfrytëzimit.

Ky proces i shitjes së banesave në pronësi të NSh-ve është i rëndësishëm dhe pjesë e procesit të përmbylljes së likuidimit të atyre NSh-ve. 

E arritur tjetër e radhës e Agjencisë është miratimi nga ana e Bordit të Drejtoreve i dy listave të reja për punëtorët e NSH të privatizuara për shpërndarje të pjesshme të shumës së 20%: Për NSH “Kluz”-Drenas dhe NSH “Termovend”-Lipjan

Bordi diskutoi edhe për NSh “Emin Duraku” dhe pas diskutimeve mori vendim për largimin e kësaj NSh nga administrimi direkt. Kjo NSh do të përfshihet në valët e ardhshme të privatizimit. Ndërsa për Ndërmarrjet e reja: “Xim Strezoci” dhe “Fapol” u mor vendimi për emërimin e Bordeve Menaxhuese, duke pasur parasysh faktin se këto ndërmarrje janë nën administrimin e drejtpërdrejt të Agjencisë.

Në mënyrë unanime Bordi aprovoi shitjen e 2 milionë litra fundërrinë (mbetje nga prodhimi i verës), që ndodhet në deponinë e verës në Bodrumin e verës “Erenik”-Gjakovë.

Gjatë këtij takimi Bordi diskutoi dhe miratoi planin e punës së Njësisë së Auditimit të Brendshëm për këtë vit dhe strategjinë e Auditimit për vitet 2013-2015.

Një hap shumë i rëndësishëm për privatizimin e Ndërmarrjeve Shoqërore dhe aseteve të tyre të cilat kanë obligime tatimore të pashlyera ndaj Administratës Tatimore është arritur me vendimin e Bordit të Drejtorëve për fillimin e procesit të ndryshimit të Memorandumit të Mirëkuptimin në mes Agjencisë dhe Administratës Tatimore të Kosovës të vitit 2011, në lidhje me barrën tatimore të vendosur ndaj aseteve të NSh-ve.

Me arritjen e kësaj marrëveshje të re do të përfitojnë të dy palët, Administrata Tatimore dhe Agjencia, përkatësisht Fondet e Mirëbesimit si dhe do të jetë një kontribut i rëndësishëm për përmbylljen e privatizimeve dhe të procesit të Likuidimit të NSh-ve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)