AKP aprovoi të gjitha listat e punëtorëve për 20 për qind
Prishtinë, 24 tetor - Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, mbajti takimin e radhës ku u morën vendime për mbarëvajtjen e procesit të privatizimit.
E arritur e veçantë u cilësua përfundimi i aprovimit të listave fillestare për shpërndarjen e pjesshme 20% të punëtorëve për ndërmarrjet tanimë të privatizuara.
Me vendimin e sotëm të Bordit, AKP ka arritur që deri më tani të aprovoj të gjithë 160 listat e publikuara më parë të ndërmarrjeve shoqërore, që është një arritje e jashtëzakonshme për Agjencinë, në të mirë të punëtorëve të NSH-ve të privatizuara.
Kështu, Bordi aprovoi për shpërndarje të pjesshme të shumës 20 % për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore: Kombinati i Lëkurë Këpucëve, Pejë; Gërmia, Prishtinë; Morava e Binqës, Gjilan; BEC, Gjakovë; Mirusha, Malishevë; IMK Industria Metalike e Kosovës-Fabrika e Gypave, Ferizaj dhe NSH Agimi, Gjakovë.
Gjatë kësaj mbledhje, drejtorët e Bordit e shqyrtuan kërkesën e Kryetarit të Bordit për dorëheqjen, të paraqitur mbledhjen paraprake. Pasi që anëtarët e Bordit vlerësuan lartë të arriturat e deritashme të AKP-së nën udhëheqjen e Dino Asanaj, nga ky i fundit u kërkua që të vazhdoj ushtrimin e detyrës edhe më tutje.
Anëtarët e bordit shprehën kënaqësinë që Asanaj pranoi kërkesën e tyre dhe u zotua për përkushtim të lartë për të mirën e vendit.
Gjatë këtij takimi, Bordi aprovoi për dorëzim edhe Raportin Tremujor për Kuvendin e Kosovës për periudhën korrikgusht-shtator, në kuadër të raportimeve të rregullta periodike të AKP-së në Kuvendin e Kosovës.
Poashtu Bordi ka aprovuar transaksionet e shitjeve përmes metodës së likuidimit nr. 9, ndërsa ka diskutuar edhe për ndërmarrjet shoqërore të privatizuara me metodën spin-off special, ku blerësit akoma nuk i kanë përmbushur zotimet përsa i përket investimeve dhe punësimeve.
Bordi vendosi që të merr në konsideratë planet dhe kërkesat e reja të sjellura nga ana e blerësve si dhe propozimet e reja të tyre dhe në takimet e ardhshme do të shqyrtohen dhe do të merren vendime në përputhje me gjendjen e re të krijuar në këto ndërmarrje me rëndësi për ekonominë e Kosovës.
AKP është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucion i pavarur publik, duke pas parasysh se rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës dhe mirëqenia e qytetarëve të saj është më rëndësi jetike dhe kërkon administrimin dhe privatizimin ose likuidimin me kohë të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore.