AKP aprovoi listat për shpërndarjen e 20 % për tri ndërmarrje
Prishtinë, 20 janar - Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, mbajti takimin e radhës ku u morën vendime për mbarëvajtjen e procesit të privatizimit.
Gjatë kësaj mbledhje, Bordi aprovoi listat e punëtorëve për shpërndarje të pjesshme të shumës 20 % për ndërmarrjen shoqërore (NSh) Fryti, Lipjan; për NSh Tullara, Kamenicë dhe për NSh Sharr Tregtia, Kaçanik.
Poashtu, gjatë këtij takimi Bordi i Drejtorëve i AKP-së ka aprovuar planin e punës të AKP-së për vitin 2012, sipas të cilit Agjencia synon suksese në veçanti në procesin e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, në shpërndarjet e reja të pjesës 20 % për punëtorët nga mjetet e mbledhura nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore, pastaj vazhdimin e privatizimit të NSH-ve dhe atyre strategjike për ekonominë e Kosovës me metodën spin off etj.
Bordi ka miratuar për shpallje Valën 54 të privatizimit, përmes të cilës do të dalin për privatizim 27 ndërmarrje të reja. Kjo valë e privatizimit do të mbahet në muajin mars të këtij viti.
Bordi ka shqyrtuar situatën në ndërmarrjen shoqërore Boksitet e Kosovës dhe me qëllim të mbrojtjes dhe ruajtjes së aseteve dhe pasurisë së saj ka vendosur administrim direkt në këtë ndërmarrje.
Gjithashtu, Bordi i Drejtorëve ka liruar nga raportimi i mëtutjeshëm në AKP Ndërmarrjen e Re Fan Podujevë, e privatizuar me metodën Spin-Off Special, pasi që blerësi ka përmbushur kushtet e kontratës.
Përsa i përket situatës në pesë ndërmarrjet shoqërore të privatizuara me metodën spin-off special, ku janë konstatuar shkelje më të rënda të zotimeve, Bordi i Drejtorëve u informua nga Grupi Punues i formuar për këtë çështje me ecurinë e bisedimeve me blerësit e këtyre ndërmarrjeve, në frymën e vendimit të mëparshëm të Bordit të Drejtorëve për tërheqje të aksioneve, sipas të cilit nëse deri me datë 15 mars blerësit nuk bëjnë përmbushjen e kushteve të kontratës, atëherë do të vie deri te tërheqja e aksioneve.
AKP është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucion i pavarur publik, duke pas parasysh se rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës dhe mirëqenia e qytetarëve të saj është më rëndësi jetike dhe kërkon administrimin dhe privatizimin ose likuidimin me kohë të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore.