AKK regjistron pronat në emër të Republikës së Kosovës
Prishtinë, 24 mars - Agjencia Kadastrale e Kosovës ka njoftuar se duke vepruar në bazë të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për regjistrimin në pronësi të Republikës së Kosovës të të gjithë pronave të paluajtshme që ndodhen në territorin e Republikës së Kosovës e të cilat kanë figuruar në emër të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, përkatësisht të ish-Republikës Socialiste të Serbisë, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka bërë ndërrimin e pronësisë së këtyre pronave në regjistrat pronësorë.
Kjo do të thotë se në Sistemin e Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë, sistem ky i cili administron regjistrat pronësorë zyrtar në Republikën e Kosovës, këto prona figurojnë në pronësi të Republikës së Kosovës. P
rocesi për kthimin e këtyre pronave kishte filluar në vitin 2015 nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa pas kontrollit dhe identifikimit të këtyre pronave dhe në bashkëpunim mes institucioneve të ndryshme vendore, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka azhurnuar regjistrat pronësorë duke regjistruar si pronar të këtyre pronave Republikën e Kosovës.