AKK merr pjesë në konferencën e Bankës Botërore në Uashington
Washington, 25 mars - Prej datës 24 mars deri më 27 mars në Washington D.C të ShBA-ve është duke u mbajtur Konferenca Vjetore e Bankës Botërore për Tokën dhe Varfërinë, ndërsa temë e Konferencës së sivjetme do të jetë Integrimi i administrimit të tokës në agjendën post 2015.
Folësve në këtë Konferencë, në mesin e të cilëve është edhe Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës Prof. dr. Murat Meha, u është kërkuar që të përgatisin punimet dhe prezantimet e tyre rreth disa temave nga perspektiva e shtetet respektive si sigurimi dhe mbrojtja e të drejtave pronësore nga aspekti gjinorë, menaxhimi i hapësirave urbane, tërheqja e investimeve atraktive në fushën e tokës, kapitalizimi i benefiteve nga të dhënat hapësinore, fuqizimi i institucioneve në nivel shteti, avancimi i transparencës në fushën e pronësisë mbi tokën, hulumtimi i aspekteve kyçe në administrimin tokës.
Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës Prof. dr. Murat Meha para të pranishmëve prezantoi punimin e tij me titull Transparency as a Factor with High Impact on Realization of Property Rights and Land Administration in Kosovo(Transparenca si faktor me ndikim të lartë në realizimin e të drejtave pronësore dhe në administrimin e tokës në Kosovë), çështje kjo e trajtuar për nga pesha e veçantë që ka në raport me shtetin dhe qytetarin.
Përmes prezantimit z. Meha tha që në Republikën e Kosovës janë duke u zhvilluar projekte kapitale lidhur me azhurnimin, standardizimin dhe shpërndarjen e të dhënave për tokën në Kosovë, dhe transparenca rreth këtyre projekteve është garantuar nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta me qytetarët, mjeteve të informimit publik dhe ofrimit të pandërprerë të informacioneve përmes kanaleve të ndryshme të shkëmbimit të informacioneve të rregulluara me ligj.
Pos diskutimeve lidhur me pikat e sipërpërmendura, Meha ka mbajtur takime me përfaqësues të Bankës Botërore me të cilët është diskutuar në veçanti mbi projektet që po realizohen nga AKK-ja me ndihmën e Bankës Botërore, me theks të veçantë mbi nevojën për rregullimin vertikal të kadastrës në Kosovë, etj. Konferenca u shfrytëzua edhe për takimin me pale të ndryshme të interesit nga e gjithë bota.