AKK dërgon në kundërvajtje 21 zyrtarë të lartë
Prishtinë, 27 tetor - Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka iniciuar procedurë në gjykatat për kundërvajtje ndaj 21 zyrtarëve publikë për mosdeklarimin e pasurisë së tyre me marrjen e detyrës zyrtare.
Njoftimi për këtë është bërë nga AKK-ja, e cila në faqen e saj zyrtare ka treguar se zyrtarët ndaj të cilëve agjencia ka iniciuar procedurën e kundërvajtjes janë: Mimoza Ahmetaj nga Zyra e Kryeministrit, Kamuran Goranci, drejtor i Departamentit të Kulturës në MKRS, Nadire Vitija, ish-zyrtare e lartë e prokurimit në Terkomos, Sherafedin Mumxhiu, ish-anëtar i bordit në Termokos, Brikena Mulliqi, drejtoreshë në Ministrinë e Kulturës, Fatos Berisha, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Emin Emini, drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Driart Elshani, zyrtar në Ministrinë e Administratës Publike dhe Ilhami Gashi, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Procedura e kundërvajtjes është iniciuar edhe ndaj këtyre zyrtarëve: Eljana Naka, Granit Berisha, Valdrin Lluka, Irfan Lipovica, Hasan Hasani, Përparim Krasniqi, Emin Gërbeshi, Milivoje Stojanovic, Kimete Bytyqi, Bastri Musmurati, Rifat Krasniqi, Dragisa Krestovic.
Zyrtarët e lartcekur nuk ju kanë përmbajtur afatit ligjor për deklarimin e gjendjes së pasurisë konform ligjit Nr.04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e dhuratave Për të Gjithë Personat Zyrtarë, respektivisht nenit 6 paragrafi 1.1 të këtij ligji.
Po ashtu sipas nenit 17 paragrafi 2, Agjencia me rastin e inicimit të procedurës kundërvajtje ndaj zyrtarëve të lartcekur e njofton institucionin në të cilin punon ose ka punuar zyrtari i lartë, dhe po ashtu duke u bazuar në nenin 17 paragrafi 3, Agjencia e ka për obligim ti publikoj emrat e zyrtarëve të lartë publik të cilët nuk e kanë deklaruar gjendjen e pasurisë ashtu siç është paraparë me këtë ligj, thuhet në njoftimin e AKK-së.
/rtk/