03 Maj 2024

Akciza për qeset e plastikës ka për qëllim mbrojtjen e mjedisit

Prishtinë, 28 qershor - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi sot konferencën për Akcizën mbi Qeset e Plastikës i cili kishte për qëllim mbledhjen e akterëve relevantë nga Ministria e Financave, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Doganat e Kosovës dhe sektori i tregtisë dhe prodhimit të qeseve të plastikës për të diskutuar lidhur me arsyet e implementimit të një akcize të tillë dhe implikimet që shoqëron një vendim të tillë.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka theksoi rëndësinë e zvogëlimit të përdorimit të qeseve të plastikës për shkak të ndikimit negativ në mjedis, duke shtuar se akterët relevantë duhet ta kenë më të qartë se cilat janë arsyet që kanë ndikuar në marrjen e një vendimi të tillë i cili rëndon barrën financiare të bizneseve dhe konsumatorëve.
 
Këshilltari i Ministrit të Financave, Menderes Ibra, tha se një vendim i tillë ka për qëllim mbrojtjen e mjedisit përmes zvogëlimit të qeseve plastike të cilat qarkullojnë në ambient.

Ndërsa këshilltarja për marrëdhënie me publikun e Ministrisë së Mjedisit , znj. Gëzime Hasani dhe drejtoresha e departamentit për Mbrojtjen e Mjedisit znj. Florije Tahiri, pas sqarimit të ndikimeve negative të përdorimit të qeseve dhe rëndësisë së implementimit të tillë, premtuan se MMPH është duke diskutuar mundësinë e subvencionimit të prodhuesve të cilët përdorin teknologji më miqësore të mjedisit dhe lëndë të parë për prodhimin e qeseve të cilat kanë më pak ndikim negativ në mjedis.

Ndërsa, Drejtori i Departamentit Ligjor i Doganës së Kosovës, z.Lulzim Rafuna sqaroi aspektet teknike dhe ligjore të implementimit të vendimit për aplikimin e akcizës për qese të plastikës.

Përfaqësuesit e sektorit tregtar shprehën shqetësimet e tyre se një vendim i tillë është marrë pa konsultim paraprak dhe më gjithëpërfshirës si dhe shprehën shqetësimin e tyre se aplikimi i një akcize të tillë do të rriste ngarkesën financiare edhe për rrjetet e supermarketeve dhe sektorin e tregtisë në përgjithësi.

Gjithashtu, u potencua edhe fakti se akcizës i nënshtrohen një lloj edhe thasët e mbeturinave për shkak të mungesës së kodeve të veçanta tarifore, e kjo mund të rezultojë në hudhje të pakontrolluar të mbeturinave jashtë thasëve të dedikuar për këtë qëllim. Ndërsa përfaqësuesit e prodhuesve të qeseve të plastikës shprehën shqetësimin e tyre se aplikimi i akcizës do ta vështirësojë punën e tyre.

Përveç nevojës për vazhdimin e diskutimit, ishte konkluzion i përbashkët se për të zvogëluar përdorimin e qeseve të plastikës dhe me këtë realizimin e synimit të mbrojtjes së mjedisit, do të duhej të nisej me shitjen e qeseve të plastikës me çmim minimal i cili do të merrte në konsideratë barrën e konsumatorëve por edhe të ndërmarrjeve tregtare, sidomos duke pasur parasysh rritjen e madhe të kostos së prodhimit.

Ndërsa për të eliminuar mundësinë e rritjes së informalitetit, u propozua edhe mundësia që ministria përkatëse të nxirrte një udhëzim ligjor i cili do të obligonte shitjen e qeseve të plastikës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)