19 Nëntor 2024

Akciza mund ta rrisë kontrabandimin

Albulena S. MAVRAJ

Prishtinë, 23 dhjetor - Ministri i Financave (MF), Besim Beqaj, ka bërë me dije se nga 1 janari i vitit të ardhshëm norma e akcizës së duhanit rritet edhe për dy euro. “Prej 1 janarit të vitit të ardhshëm hyn në fuqi norma e re e akcizës në duhan.

Pas rritjes nga 27 në 30 euro për një kilogram në tetor të këtij viti, prej 1 janarit norma e akcizës së duhanit rritet edhe për dy euro, pra për një kilogram arrin në 32 euro akcizë. Nuk kemi paraparë ndonjë ndryshim të normave në vitin 2014.

 Akciza është ndryshuar duke u përgjigjur në zhvillimet rajonale. Ne nuk kemi dashur të mbesim më të ulëtit në nivel rajonal sepse kjo mund të ngjallte çfarëdolloj trafiqesh, të cilat mund të jenë një njërën apo anën tjetër”, ka thënë Beqaj.

I kontaktuar nga gazeta, zëdhënësi i Doganës së Kosovës (DK), Adriatik Stavileci, ka deklaruar se gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti nga akcizat në duhan janë grumbulluar 77 milionë euro dhe janë importuar 2,891,524.28 kg duhan. Stavileci ka bërë me dije se, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është rritur importi i duhanit dhe shuma monetare e grumbulluar nga akcizat.

“Gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti janë importuar 2, 891, 524. 28 kg duhan me vlerë të akcizës prej 77 milionë eurosh. Ndërkaq gjatë vitit 2012 nga janari deri në nëntor janë importuar 2, 570, 399. 06 kg duhan, kurse vlera e akcizës ka qenë 71 milionë euro”, ka thënë Stavileci.

Mirëpo sa i përket vlerës së akcizës për muajin nëntor të këtij viti, Stavileci ka deklaruar se vlera e akcizës së duhanit për këtë muaj kap shumën tetë milionë euro. “Gjatë muajit nëntor të këtij viti janë importuar 300. 499. 89 kg duhan dhe vlera e akcizës ka qenë mbi tetë milionë euro, ndërsa gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar importi i duhanit ka qenë 2, 891, 524. 28 kg, me vlerë të akcizës prej 8, 482, 428. 00 eurosh”, ka shtuar ai.

Kurse kryetari Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se ky është vendim i mëhershëm. Sipas Shahinit, AKB-ja çdoherë ka kërkuar të rritet taksa për produktet luksoze, kurse të lirohen nga taksat lënda e parë dhe teknologjia prodhuese.

“Konsiderojmë se ngritja e akcizës në duhan dhe moslirimi i taksës doganore për lëndë të parë dhe prodhim vendor, sidomos teknologjinë prodhuese, do të ishte e rëndë për biznesin dhe qytetarët kosovarë. Kjo ende nuk ka ndodhur, pasi taksa është duke u rritur, por besoj se edhe kjo do të ndodhë në vitin e ardhshëm”, ka thënë Shahini.

Ai ka rekomanduar për akcizë në produktet luksoze dhe duhan dhe për lirim nga taksat për produktet e domosdoshme. “Rekomandimi ynë është i kahershëm, që jo vetëm në duhan të rritet akciza, por mund të ndodhë edhe në alkool, ari dhe produktet e tjera që janë luksoze e që i prek vetëm kategoritë që kanë standard të lartë.

Kurse ne kërkojmë të lirohen nga taksat produktet e domosdoshme për kategoritë që janë me të vërtetë të prekura nga papunësia dhe krizat”, ka thënë ai, duke shtuar se rritja e akcizës së duhanit mund të ndikojë në rritjen e kontrabandës dhe rrezikimin e tregtarëve legalë.

Sipas Shahinit, rritja e taksave të tepruara e ka në vete rrezikun e vet, pasi mund ta rrisë kontrabandën nga vendet e tjera, duke bërë kështu që, përpos akcizës, të iket edhe nga TVSH-ja dhe dogana. “Natyrisht se rritja e taksave të tepruara e ka rrezikun e vet, pasi mund ta rritë kontrabandën nga vendet e ndryshme. Unë dua të besoj se kjo nuk do të ndodhë, por me siguri kjo do të ndodhë, sidomos në disa pjesë të Kosovës që tashmë janë të njohura për kontrabandë, por edhe në vetë qendrën e Prishtinës, ku duhan shitet pa banderola, duke bërë kështu t’u iket taksave të ndryshme që nuk është vetëm akciza, por edhe TVSH-ja dhe Dogana”, ka deklaruar kryetari i AKB-së, Shahini.

Kryetari Shahini ka potencuar se kontrabanda më shumë zhvillohet në veri të vendit. “Kur flasim për kontrabandë më shumë i referohemi veriut dhe pikave të ndryshme që nuk janë të mbuluara nga doganat dhe janë të lira për kontrabandim jo vetëm të duhanit, por edhe të produkteve të tjera.

Prandaj, kjo do ta rrisë interesin e tregtarëve, të cilët tregtojnë produkte të duhanit në mënyrë ilegale duke i rrezikuar tregtarët e duhanit që merren me tregtim”, ka thënë ai.
Ndërkaq Alban Zogaj nga Instituti “Riinvest” është shprehur se rritja e akcizës së duhanit do të ketë efekt direkt në ngritje të çmimeve të duhanit. “Kjo do të ketë efekt direkt në ngritje të çmimeve të duhanit dhe ky vendim lidhet dhe me ligjin kundër pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura, do të thotë është një vendim i lidhur dhe me ligjin.

Duhani konsiderohet e mirë e luksit në gjithë botën dhe ata që e konsumojnë duhanin paguajnë çmime me të shtrenjta, andaj ky vendim është në përputhje të plotë me të gjitha standardet edhe evropiane edhe ndërkombëtare”, ka theksuar Zogaj, i cili ka rekomanduar të ulen çmimet për produktet e domosdoshme dhe të ngritën taksat për produktet e luksit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)