AKB kërkon ndryshimin e politikave ekonomike të Bosnjës ndaj Kosovës
Tiranë, 22 maj - Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, është takuar me ministrin e Industrisë, Tregtisë dhe Energjisë së Bosnje Hercegovinës Erdal Trhuli dhe biznese, ku është biseduar lidhur me bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës.
Kryetari i AKB-së, tha se kishin një takim në kuadër të takimeve regjionale dhe rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Për të rritur ritmin, duhet të hiqen disa barriera, që tashmë janë të njohura si lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave dhe pranimi i dokumentacionit të Kosovës që paraqesin vështirësi që ngadalësojnë përpjekjet e biznesit.
Përpjekjet e bizneseve kryesisht janë të penguara nga politika jo parimore. Duhet krijuar politika më favorizuese në Ballkanin Perëndimore, kur dihet se Kosova si shtet i ri, po përpiqet të krijon mundësi të reja për investime, tha AgimShahini .
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, shtoi se ka ftuar ministrin dhe bizneset nga Bosnja që të vizitojnë Kosovën dhe të njihen me realitetin. Vizita pritet të realizohet së shpejti . Po ashtu Shahini, i ftoi investitorët nga Bosnja që të vijnë e investojnë në Kosovë. Kosova të gjitha bizneset i trajton barabartë dhe kjo është një përparësi.
Nga ana tjetër Erdal Trhuli, ministër i Industrisë, Tregtisë dhe Energjisë së Bosnje Hercegovinës, është pajtuar se ekzistojnë probleme dhe të cilat kërkesa nga Kosova janë të drejta .
Do të bëhen përpjekje që të tejkalohen këto barriera e probleme në mënyrë që Bosnja dhe Kosova të kenë më shumë shkëmbime tregtare dhe lëvizje të lirë për mallrat dhe qytetarët, tha Trhul.
Ai shtoi se është i impresionuar nga progresi i arritur në Kosovë. Po ashtu ministri ftoi një delegacion të AKB-së dhe bizneseve nga Kosova që të vizitojnë Bosnjën dhe që të shikohen mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushat ekonomike.