Ahmeti premton procedura transparente të prokurimit publik
Prishtinë, 22 janar - Komuna e Prishtinës do të mbështesë bizneset kërkesat e të cilave do të jenë në përputhje me ligjet e shtetit dhe rregulloret komunale. Këtë porosi e dha sot Kryetari i ri i Prishtinës Shpend Ahmeti gjatë një takimi me bizneset anëtare të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Në hapje të takimit, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, tha se duke pasur parasysh që shumica e bizneseve më të mëdha të vendit, që janë njëherit tatimpaguesit më të mëdhenj dhe gjeneruesit më të mëdhenj të vendeve të punës në Kosovë, kanë selitë e tyre në Prishtinë, atëherë diskutimet me Kryetarin e Prishtinës janë të një rëndësie të veçantë.
Në anën tjetër, Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti tha se prioritet i Komunës të cilën ai e drejton do të jetë krijimi i politikave të cilat janë nxitëse për krijimin e vendeve të reja të punës.
Ai sqaroi para bizneseve të pranishme se Komuna e Prishtinës do të organizojë procedura transparente dhe të hapura të prokurimit publik në përputhje me ligjet përkatëse të vendit.
Ai poashtu foli edhe për problemet e shumta të trashëguara në Komunën e Prishtinës, një pjesë e madhe e të cilave lidhen edhe me çështje pronësore.
Duke u përgjigjur në disa pyetje të bizneseve të pranishme në takim, pjesa më e madhe e të cilave lidheshin me problemet në sektorin e ndërtimtarisë, Ahmeti tha se qëllimi i udhëheqjes së re të Komunës së Prishtinës nuk është ndalja e ndërtimeve, por krijimi i një rendi urbanistik, duke u zotuar se bizneset të cilat respektojnë kriteret urbanistike dhe ligjore të ndërtimit nuk do të kenë probleme në realizimin e planeve të tyre.
Ai poashtu premtoi rregullimin e infrastrukturës përcjellëse përreth ndërtimeve për të cilat Komuna e Prishtinës ka lëshuar leje të ndërtimit.
Në fund, Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ftoi bizneset që të adresojnë shqetësimet e tyre qoftë në mënyrë individuale apo përmes Odës Ekonomike Amerikane duke premtuar trajtim meritor të tyre.