Ahmeti fton krimet ekonomike për të hetuar kompaninë Pastrimi
Prishtinë, 18 shkurt - Komuna e Prishtinës njofton opinion publik se përkundër vendimeve të bordit, vendimeve të aksionarëve, vendimeve të Gjykatës Themelore të Prishtinës për largimin e anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Feim Salihu nga pozita e kryeshefit të ekzekutivit në ndërmarrjen publike rajonale Pastrimi, ky individ vazhdon të shkojë në punë dhe të mbrohet nga miqtë e tij në qeveri.
Përkundër kallëzimit penal për kërcënim ndaj kryesuesit të bordit të ndërmarrjes Pastrimi, Bardhyl Noci, Salihu nuk është ftuar asnjëherë në intervistë duke u vënë në mbrojtje nga miqtë e tij në qeveri.
Përkundrazi, sot, policia e Kosovës në mënyrën më të ulët ka arrestuar Ylli Hoxhën, anëtarin e Kuvendit Komunal Prishtinë për shkak të protestave për ndalimin e drejtorit jolegjitim Salihu për të hyrë në zyre.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti bën thirrje tek Policia e Kosovës për lirimin e menjëhershëm të Asambleistit Hoxha, dhe kërkon nga policia njohjen e vendimeve legjitime dhe të drejta të Komunës, Aksionarëve dhe Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Policia duhet të jetë institucion i pavarur në zbatim të ligjit dhe drejtësisë, e jo në zbatim të urdhrave politik të ministrave të qeverisë.
Për më shumë, Kryetari Ahmeti fton policinë e krimeve ekonomike për të hetuar kompaninë Pastrimi dhe veprimtarinë e saj dhe të udhëheqësve të saj në tenderë, marrëveshje e transaksione financiare që e kanë sjellë këtë kompani para falimentimit.